香港---[xiāng gǎng]---Hong-Kong
Të martën, kryeekzekutivja e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut të Kinës, Carrie Lam, tha se ajo nuk ka në plan të vendosë mbylljen në mbarë qytetin për të frenuar gjendjen epidemike të COVID-19, por njëkohësisht u shpreh se zgjedhjet për kryeekzekutivin muajin e ardhshëm përballen me mundësinë e shtyrjes.
Në dy javët e fundit, Hong-Kongu është përpjekur ta frenojë shpërthimin e epidemisë që është përkeqësuar me shpejtësi. Numri ditor i rasteve të prekjes nga COVID-19 është rritur me rreth 20 herë. Carrie Lam tha se autoritetet lokale nuk janë në gjendje të ndjekin hapat e testimit dhe të karantinës.
Sipas saj, reagimet e qeverisë së Rajonit të Posaçëm ndaj epidemisë nuk janë të kënaqshme, dhe spitalet e stafi mjekësor janë të mbingarkuar.
"Nuk ka plan për mbylljen në përmasa të mëdha të qytetit," tha Carrie Lam, por ajo ritheksoi zbatimin e politikës "zero-COVID dinamike".
Të martën, autoritetet shëndetësore raportuan 1619 raste të reja, diçka më pak se rekordi prej 2071 rastesh që u shënua një ditë më parë.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse do të zhvillohen zgjedhjet për kryeekzekutivin, që janë planifikuar për më 27 mars, Carrie Lam tha se nuk ka ndryshuar plani, por duke marrë parasysh "ashpërsinë dhe shpejtësinë e kësaj vale epidemike", situata do të rishikohet në vazhdim.
Pas shpërthimit të COVID-19 në vitin 2019, Hong-Kongu ka marrë masa të rrepta antiepidemike. Shumica e kishave, shkollave dhe palestrave mbeten të mbyllura, grumbullimet publike të më shumë se dy personave janë të ndaluara dhe nuk lejohet ngrënia në restorant pas orës 18:00.
Hong-Kongu do të nisë paraqitjen e lejeve të vaksinimit duke filluar nga 24 shkurti. Qytetarët duhet të tregojnë dëshminë e vaksinimit para se të hyjnë në restorante, supermarkete dhe qendra tregtare.
Mësimi me prani fizike në shkolla do të pezullohet të paktën deri më 6 mars.
Me shtimin e rasteve të prekjes nga koronavirusi, pjesa kontinentale e Kinës ka thënë se do ta ndihmojë Rajonin e Posaçëm të rritë kapacitetin e testimit, mjekimit dhe karantinës, duke siguruar burime që nga kompletet e shpejta të antigjenit dhe pajisjet mbrojtëse deri te perimet e freskëta.
Që nga shpërthimi i ri, numri i përgjithshëm i rasteve të COVID-19 në Hong-Kong ka arritur rreth 26000, ndërsa numri i vdekjeve është mbi 200.
Carrie Lam parashikoi se nevojiten më shumë mjedise karantine. Rreth 3000 njësi banimi publike dhe afro 10000 dhoma hoteli do të kthehen në vende karantine. (Foto nga VCG)