欢迎---[huān yíng]---mirëseardhje
Presidenti kinez Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij Peng Liyuan organizuan të shtunën një banket mirëseardhjeje në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin për mysafirë të rëndësishëm nga e gjithë bota, të pranishëm në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022.
Foto: Xinhua
Më shumë se 30 liderë të vendeve të ndryshme dhe krerë të organizatave ndërkombëtare u mblodhën në kryeqytetin kinez për ceremoninë e hapjes së olimpiadës të premten në Stadiumin Kombëtar të Kinës, një vend ikonik i Lojërave Olimpike Verore 2008.
Pasi zhvilloi me sukses Lojërat Olimpike Verore 14 vjet më parë, Pekini është qyteti i parë që organizon si olimpiadën verore, edhe atë dimërore.
Në fjalimin e tij në banket, presidenti Xi Jinping, në emër të qeverisë kineze dhe popullit kinez, u shprehu një mirëseardhje të ngrohtë të gjithë të ftuarve dhe falënderoi të gjithë ata që kanë dhënë mbështetje për Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit.
Ai tha se Kina e ka mbajtur premtimin që i bëri bashkësisë ndërkombëtare për Lojëra të gjelbra, përfshirëse, të hapura dhe të pastra.
Xi shtoi se Kina ka dhënë kontribut të ri për kauzën olimpike duke realizuar objektivin që 300 milionë veta të merren sporte dimërore nëpërmjet organizimit dhe promovimit të Lojërave Olimpike.
Duke vënë në dukje se Lojërat Olimpike që nga lashtësia kanë bartur aspiratat e njerëzimit për paqe, solidaritet dhe përparim, kreu i shtetit kinez u kërkoi të gjitha palëve të mbajnë parasysh aspiratën origjinale të Lojërave Olimpike dhe së bashku të mbështesin paqen botërore.
"Duhet të ruajmë respektin e ndërsjellë, barazinë, dialogun e konsultimet, të përpiqemi të kapërcejmë dallimet e të shmangim konfliktet dhe të punojmë së bashku për një botë me paqe të qëndrueshme," theksoi ai.
Foto: Xinhua
Xi bëri thirrje për promovimin e frymës së Olimpiadës dhe trajtimin nëpërmjet solidaritetit të sfidave të përbashkëta me të cilat përballet bashkësia ndërkombëtare.
E vetmja mënyrë që të gjitha vendet të përballojnë sfidat e ndryshme në mënyrë efektive është që ato të forcojnë solidaritetin e bashkëpunimin dhe të punojnë së bashku për një ardhme të përbashkët, shtoi presidenti Xi.
Ai shprehu gjithashtu domosdoshmërinë e veprimeve lidhur me objektivat e Lëvizjes Olimpike dhe synimin e vazhdueshëm për përparim njerëzor.
"Lëvizja Olimpike synon të arrijë zhvillimin e gjithanshëm njerëzor. Duhet të ndjekim prirjen e kohës, të qëndrojmë besnikë ndaj vlerave të përbashkëta të njerëzimit për paqen, zhvillimin, barazinë, drejtësinë, demokracinë e lirinë, të promovojmë shkëmbimet dhe mësimin e ndërsjellë ndërmjet qytetërimeve e të bashkëpunojmë për të ndërtuar një bashkësi me të ardhme të përbashkët për njerëzimin," theksoi ai.
Foto: Xinhua
Duke shtuar se, sipas kalendarit hënor, Kina sapo hyri në Vitin e Tigrit, një kafshë që simbolizon forcën dhe guximin, Xi u uroi të gjithë sportistëve olimpikë që të kenë paraqitje të shkëlqyer me forcën e tigrit.
“Besojmë se, me përpjekjet e përbashkëta të të gjithëve, Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 me siguri do të hyjnë në histori si Lojëra Olimpike të thjeshta, të sigurta dhe të shkëlqyera”, tha presidenti kinez. (Çang Çuo)