技术---[jì shù]---teknologji
Dëbora artificiale përdoret gjerësisht në garat ndërkombëtare të skive dhe nëntë tipa të ndryshëm të dëborës artificiale të projektuar me teknologji të lartë do të debutojnë në Olimpiadën Dimërore të Pekinit 2022, në përputhje me disiplinat e ndryshme sportive.
Dëbora e akullt, një lloj i dëborës për ski, pakëson fërkimet në sipërfaqen e pistës dhe luan një rol të rëndësishëm në përmirësimin e rezultateve të sportistëve, mbrojtjen e trupave të tyre dhe zgjatjen e karrierës së tyre sportive.
Por para vitit 2016, në Kinë nuk gjendej dëborë e akullt cilësore dhe madje shumë ekspertë kinezë as nuk kishin dëgjuar për këtë koncept.
Kina filloi kërkimet e saj lidhur me dëborën dhe akullin relativisht më vonë se vendet e tjera dhe kishte shumë pak përvojë në organizimin e veprimtarive ndërkombëtare të sporteve dimërore, pa folur pastaj për teknologjitë e larta përkatëse, thotë Wang Feitang, një studiues në Institutin mbi Mjedisin Ekologjik dhe Burimet të Veriperëndimit pranë Akademisë së Shkencave të Kinës.
Si pasojë e bllokadës ndërkombëtare të teknologjive përkatëse, Kina nuk mund të përmbushte as parametrat standardë për pistat e dëborës. Në vitin 2017 u krijua zyrtarisht një grup kërkimor teknologjik që fokusohet në teknologjinë e mbrojtjes së dëborës për Lojërat Olimpike të Pekinit. Ky grup kryesohej nga akademiku Qin Dahe dhe Wang ishte një nga anëtarët.
Gjatë periudhës 2019-2021, grupi kërkimor zhvilloi studime në prodhimin e dëborës së akullt, e cila duket shumë e thjeshtë, si një kombinim i akullit me dëborën. Por, për shkak të mungesës së parametrave specifikë për thellësinë e dëborës dhe për dendurinë e shtimit të ujit, grupi e kishte të vështirë, tregon Wang.
Zona e provave ishte gjithashtu shumë e ftohtë, me temperaturën 20 gradë nën zero. Nganjëherë anëtarët e grupit detyroheshin të punonin në kushte ngrirjeje për mbi 10 orë me radhë.
Megjithatë, këmbëngulja dhe puna e tyre e mundimshme u shpërblyen. Grupi ndërtoi në mënyrë të pavarur pajisjen profesionale të monitorimit të pistës së dëborës së akullt, përfshirë një kontrollues për fortësinë e dëborës së akullt dhe një për madhësinë e grimcave të dëborës së akullt. Këto arritje kanë pakësuar koston për ndërtimin e pistave të skive me një model të gjelbër dhe efektiv.
“Prodhimi, ruajtja dhe rezervimi i dëborës dhe shërbimet tona të tjera të dëborës mund të përputhen me kërkesat e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit,” shtoi Wang.
Krahas teknologjisë së prodhimit të dëborës së akullt, Kina pati arritje teknologjike edhe në fusha të tjera të Olimpiadës Dimërore 2022.
Gara e makinës së borës njihet edhe si “F1 në akull” për shpejtësinë e saj dhe pamjet e mrekullueshme, por prodhimi i pajisjeve ishte monopol i vendeve të tjera.
Vetëm në vitin 2021, studiuesit kinezë patën sukses në krijimin e makinave të borës, duke prodhuar makina bore për dy dhe katër veta me teknologjinë e fluturimit hapësinor.
Këto makina bore, të projektuara bashkërisht nga kërkuesit e Korporatës së Shkencës e Teknologjisë Hapësinore të Kinës (CASC) dhe të Grupit të Parë të Automjeteve të Kinës (FAW), kanë një skelet prej fibre karboni të përbërë të përforcuar TG800, që përdoret zakonisht për prodhimin e raketave dhe të aeroplanëve.
Falë dizenjimit aerodinamik të trupit të saj, makina kineze e borës e ka koeficientin e rezistencës 5 për qind më të ulët se të makinave të importit, ndërkohë që shpejtësia e saj është 3 për qind më e madhe.
Nga zeroja në arritjen e përparimeve të tilla, anëtarët e grupeve përgatitore për Olimpiadën Dimërore të Pekinit duhen përgëzuar për këmbënguljen dhe guximin e tyre./ foto nga CGTN