晚会---[wǎn huì]---Gala
Në orën 20 të 31 janarit, në një atmosferë të ngrohtë e të lumtur, Galaja e Festës së Pranverës për vitin 2022 u takua me shikuesit.
Në këtë gala kishte përmbajtje të reja e të veçanta, dhe emocionet ishin të mëdha. Ekrani gjigant në formën e një qarku 720 gradë dhe teknologjitë XR e AR krijuan një "banket" të madh kulturor për shikuesit. Galaja tërhoqi vëmendjen e gjerë të shikuesve dhe mediave brenda e jashtë Kinës, sipas të cilëve galaja e sivjetshme ka treguar elemente të reja dhe ka krijuar atmosferë festive me gjallëri dhe energji, si tigri dhe dragoi.
Sipas statistikave fillestare, deri në orën 24 të 31 janarit, shikueshmëria e galasë në platformat televizive arriti në 21.93%. Numri i klikimeve të drejtpërdrejta në mediat e reja arriti mbi 4.93 miliardë. Transmetimi për herë të parë në ekran vertikal tërhoqi 200 milionë shikues, mbi 50 % e të cilëve nën moshën 30 vjeçe. Transmetimi në ekran vertikal u vlerësua lart nga shikuesit, duke fituar 360 milionë pëlqime. Shikuesit vlerësojnë që një transmetim i tillë është krijues dhe galaja ishte shumë e bukur, duke shprehur urime për lulëzimin, paqen e sigurinë e vendit.
Krahas kësaj, mbi 600 media nga 170 vende e rajone të botës, si ShBA-ja, Kanadaja, Franca, Italia, Rusia, Japonia, Brazili, Australia, India, Emiratet e Bashkuara, Singapori dhe Afrika e Jugut, kanë bërë transmetime të drejtpërdrejta dhe njoftime mbi Galanë e Festës së Pranverës. Numri i shikuesve të galasë nëpërmjet platformave ndërkombëtare të CNTV-së dhe CGTN-it arriti mbi 35.24 milionë, 16.58 milionë më shumë se në vitin 2021.
Tema e galasë së sivjetshme ishte “Kënga e pranverës në udhëtimin e ri, melodia e gëzimit në Vitin e Ri Kinez”. Në këtë gala janë shfaqur edhe disa tema kryesore, si 100-vjetori i krijimit të Partisë Komuniste të Kinës, gjallërimi rural, qytetërimi ekologjik, lojërat olimpike dimërore dhe industria hapësinore e Kinës.
Në galanë e sivjetshme janë treguar kultura kineze dhe kombinimi i saj me kërkesat e kohës moderne, çka është një risi e veçantë. Pjesë të shkurtra operash, ushtrime taiji, poema tradicionale dhe elemente ekologjike janë shfaqur për shikuesit me integrimin e teknologjive të reja, duke krijuar efekte të bukura pamore.
Drama koreogreafike “Vetëm gjelbërim” ka integruar teknologjitë XR dhe skanimin holografik. Valltarët kanë treguar në mënyrë artistike legjendën klasike “1000 kilometra male e lumenj”.
Olimpiada Dimërore e Pekinit 2022 do të hapet më 4 shkurt, që bie në ditën e 4-t të Festës së Pranverës. Galaja ka shfrytëzuar këtë temë me vepra inovative, duke ftuar miqtë e botës të vijnë bashkë në lojërat olimpike të akullit dhe dëborës.
Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach në galanë e festës shprehu urimet për Vitin e Ri Kinez në gjuhën kineze, duke ftuar të gjithë të marrin pjesë në “Pekin 2022”.
Në një videoklip të shkurtër të posaçëm, maskotët e Lojërave Olimpike dhe Paralimpike Dimërore Bingdundun dhe Xuerongrong, nën shoqërimin e melodisë simfonike, bënë kërcime nga platformat e skive të olimpiadës dimërore, duke bërë kalimin nga skena e galasë në objektet e Lojërave Olimpike Dimërore. Në këtë moment u ndërthurën elementet artistike e sportive, duke integruar në mënyrë të përsosur sportet dimërore me muzikën klasike. (Jiang Lei)