共同体---[gòng tóng tǐ]---Komunitet

Ky vit shënon 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe pesë vendeve të Azisë Qendrore: Kazakistan, Kirgizistan, Taxhikistan, Turkmenistan dhe Uzbekistan.

Udhëheqësit takohen në samitin virtual(Foto:Xinhua)

Udhëheqësit takohen në samitin virtual(Foto:Xinhua)

Të martën, udhëheqësit e gjashtë vendeve të sipërpërmendura morën pjesë në një samit virtual në kuadrin e 30-vjetorit të vendosjes së lidhjes diplomatike, duke hartuar planin për thellimin e këtyre marrëdhënieve.

Presidenti kinez Xi Jinping drejtoi samitin në Pekin. Ai u shpreh se Kina është e gatshme të bashkëpunojë me vendet e Azisë Qendrore për të ndërtuar një komunitet më të ngushtë fatesh të përbashkëta. Presidenti Xi në shumë raste ka bërë thirrje për më shumë bashkëpunim midis Kinës e Azisë Qendrore, në veçanti në fushat ekonomike, tregtare, të ruajtjes së paqes, të stabilitetit dhe të sigurisë rajonale, si dhe të nxitjes së demokratizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Kreu i shtetit i Kinës vuri në duke në samitin e së martës se respekti i ndërsjellë, fqinjësia harmonike dhe miqësia, solidariteti dhe përfitimet e ndërsjella janë faktorët kyçë për bashkëpunimin e suksesshëm midis Kinës dhe pesë vendeve të Azisë Qendrore.

Këto parime janë përvoja të vlefshme për vendet përkatëse dhe shërbejnë si garanci politike për marrëdhëniet e qëndrueshme e të vazhdueshme midis Kinës dhe pesë vendeve të Azisë Qendrore, si edhe janë burim për forcimin e shkëmbimeve miqësore në të ardhmen.

Sipas të dhënave statistikore të publikuara të hënën nga Ministria kineze e Tregtisë, tregtia e Kinës me pesë vendet e Azisë Qendrore është rritur mbi 100 herë në tre dekadat e kaluara, ndërsa investimet e drejtpërdrejta të Kinës në këto vende i kanë kaluar 14 miliardë dollarët amerikanë. Ndërkohë, në një raport të Bankës Botërore thuhet se pjesëmarrja në nismën "Një brez, një rrugë" i ka ndihmuar këto vende të Azisë Qendrore ta rimarrin veten nga ndikimi i pandemisë.

Presidenti kinz Xi Jinping në samitin virtual(Foto:Xinhua)

Presidenti kinz Xi Jinping në samitin virtual(Foto:Xinhua)

Në samitin e së martës, presidenti kinez premtoi njëkohësisht se Kina do të përkrahë pesë vendet e Azisë Qendrore të ndjekin rrugët e zhvillimit që përshtatet me kushtet e tyre.

"Pavarësisht si ndryshon situata ndërkombëtare, pavarësisht sa shumë zhvillohet Kina në të ardhmen, vendi ynë do të mbetet gjithmonë një fqinj, partner, mik dhe vëlla i vendeve të Azisë Qendrore, të cilin ato mund ta besojnë dhe ku mund të mbështeten", shtoi Xi Jinping.

Ai ritheksoi se Kina do të mbështesë e palëkundur pesë vendet të mbrojnë sovranitetin, pavarësinë dhe tërësinë territoriale, duke synuar rilindjen kombëtare, bashkimin, vetëbesimin me integritet dhe luajtjen e një roli më të madh në arenën ndërkombëtare.

Për të çelur një të ardhme më të ndritur të përbashkët, lideri kinez paraqiti edhe disa propozime për të konsoliduar miqësinë dhe bashkëpunimin Kinë-Azi Qendrore në favor të shtimit të mirëqenies së popujve.

Ai vuri në dukje nevojën e rritjes së rolit shembullor të fqinjësisë së mirë, duke nxitur palët të forcojnë shkëmbimet e nivelit të lartë dhe komunikimin strategjik, si dhe të organizojnë një sërë dialogësh dhe mekanizmash bashkëpunimi, si mbledhja e ministrave të jashtëm “Kinë plus Azi Qendrore” etj.

"Ne kundërshtojmë në mënyrë të vendosur përpjekjet e forcave të jashtme për të nxitur ‘revolucionet me ngjyrë' në Azinë Qendrore, kundërshtojmë në mënyrë të vendosur ndërhyrjet në punët e brendshme të vendeve të tjera nën pretekstin e 'të drejtave të njeriut' dhe kundërshtojmë në mënyrë të vendosur çdo forcë që synon të sabotojë jetën e qetë të popujve tanë", tha presidenti kinez.

Pallati i Madh i Popullit, Pekin(Foto:Xinhua)

Pallati i Madh i Popullit, Pekin(Foto:Xinhua)

Ai bëri thirrje gjithashtu për të ndërtuar një brez bashkëpunimi me zhvillim të cilësisë së lartë me vendet e Azisë Qendrore, duke premtuar se Kina do ta shtojë vëllimin e tregtisë me këto vende deri në 70 miliardë para fundit të viti 2030.

Për mbrojtjen e sigurisë rajonale, Xi nxiti përpjekjet e vazhdueshme për të shkatërruar "tre forcat e këqija", që përkatësisht janë terrorizmi, ekstremizmi dhe separatizmi.

Sipas tij, Kina do të ofrojë 50 milionë doza vaksinash të COVID-19 për vendet e Azisë Qendrore në vitin 2022 dhe do të krijojë qendra të mjekësisë tradicionale kineze në vendet që kanë kërkesë për këtë.

Për të shtuar shkëmbimet njerëzore, Xi deklaroi se, në pesë deri në dhjetë vjetët e ardhshëm, Kina do ta çojë numrin e binjakëzimit të qyteteve me këto pesë vende deri në 100, duke ofruar 1200 bursa qeveritare për këto vende në pesë vjetët e ardhshëm.

Ai shtoi se Kina do të ofrojë 500 milionë dollarë amerikanë ndihma për vendet e Azisë Qendrore për të mbështetur programet e jetesës së banorëve, si zbatim i nismës së vet për zhvillim global, që synon përballimin e përbashkët të rreziqeve e sfidave globale, si dhe nxitjen e përparimit të Agjendës së Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030 të OKB-së.(Zhang Yan/Artan)