经济---[jīng jì]---ekonomi
Një vit më parë, kur Kina u bë e vetmja ekonomi kryesore në botë që realizoi rritjen ekonomike, në një artikull të agjencisë "Bloomberg" thuhej se rritja e Kinës po ndihmon rimëkëmbjen e ekonomisë globale. Sot, të dhënat statistikore ekonomike për vitin 2021, që sapo u publikuan, tregojnë se paraqitja e ekonomisë kineze i ka përmbushur shpresat e mbarë botës dhe është bërë një forcë e rëndësishme për nxitjen e ekonomisë botërore.
Sipas të dhënave vjetore të publikuara të hënën nga Zyra Kombëtare e Statistikave, në vitin 2021 ekonomia kineze vazhdoi prirjen e rimëkëmbjes së qëndrueshme dhe realizoi të gjithë objektivat kryesorë. Vëllimi i përgjithshëm i ekonomisë arriti në 114.4 trilionë juanë, duke u radhitur në vendin e dytë të botës, 8.1 për qind më shumë se në vitin 2020. Kjo shpejtësi e rritjes përputhet me parashikimet e përgjithshme të ekonomistëve dhe i shfaq botës përsëri elasticitetin dhe gjallërinë e ekonomisë kineze.
Më 17 janar 2022, një punëtor ishte i zënë në montimin e motorit të motoçikletës në një fabrikë për tregtinë e jasthme në qytetin Chongqing të Kinës Jugperëndimore/ VCG
Si ekonomia e dytë në botë, vazhdimi i rimëkëmbjes së ekonomisë kineze ushtron ndikim pozitiv edhe ndaj vendeve të tjera. Sipas vlerësimeve fillestare të Zyrës Kombëtare të Statistikave, në vitin 2021 kontributi i ekonomisë kineze në rritjen e ekonomisë botërore ka qenë 25 për qind.
Në kohën kur tregtia dhe investimet globale janë në rënie, kërkesa e madhe nga tregu kinez u ka siguruar ndërmarrjeve të mbarë botës porosi dhe raste për investim. Të marrim për shembull investimet. Në vitin 2021, Kina shfrytëzoi investime të drejtpërdrejta të huaja në një vlerë 1149.4 miliardë juanë, me një rritje prej 14.9 për qind, duke shënuar rekord. Ashtu siç tha Jacob Gunter, analist i Institutit të Studimeve mbi Kinën “Mercator” (MERICS), në krahasim me vendet e tjera të botës, Kina e ka kontrolluar fuqimisht gjendjen epidemike dhe ka ruajtur rritjen e fortë ekonomike, gjë që ka tërhequr investimet e huaja.
Si “fabrika e botës” me sistemin e përsosur dhe aftësinë e qëndrueshme të prodhimit, gjatë vitit të kaluar Kina plotësoi kërkesat e shtuara të botës për produkte kineze, duke stabilizuar zinxhirët globalë të industrisë dhe furnizimit.
Më 14 janar 2022, porti detar i qytetit Yantai të Kinës Lindore/ VCG
Meriton të përmendet se produktet “Made in China” kanë formuar edhe një vijë parandaluese në luftën kundër COVID-19 në mbarë botën, duke ndihmuar veçanërisht në rimëkëmbjen ekonomike të vendeve në zhvillim. Deri në fund të vitit 2021, Kina i ofroi bashkësisë ndërkombëtare afro 372 miliardë maska fytyre, mbi 4.2 miliardë veshje mbrojtëse, 8.4 miliardë reagentë diagnostikues, si dhe mbi 2 miliardë doza vaksinash kundër COVID-19.
Aktualisht, Kina ndodhet ende përpara mjedisit të ndërlikuar ekonomik, por prirja pozitive afatgjatë e ekonomisë kineze nuk ka ndryshuar. Qeveria kineze ka ngulur këmbë në parimin e “vënies së jetës në plan të parë” dhe, për sa u përket politikave ekonomike, nuk zbatoi stimulimin e fortë, por dha ndihmë dhe mbështetje të saktë ndaj subjekteve të tregut. Përballë pasigurive të jashtme, Kina ka besim që do të ruajë zhvillimin e vazhdueshëm e të shëndetshëm të ekonomisë, duke luajtur rol e “lokomotivës” për rritjen e ekonomisë botërore. (Wang Lei/ Artan)