调查---[diào chá]---sondazh
Gjithnjë e më shumë ndërmarrje gjermane në Kinë e kanë ngritur nivelin e lokalizimit të kërkim-zhvillimit dhe afro gjysma prej tyre shprehën mendimin se kompanitë kineze do të drejtojnë novacionin në sektorët e tyre, sipas një sondazhi mbi besimin e biznesit gjatë periudhës vjetore 2021-2022, të publikuar të martën.
Sondazhi, i bërë bashkërisht nga Dhoma Gjermane e Tregtisë në Kinë dhe agjencia e kontabilitetit PKMG, tregon se kompanitë gjermane në Kinë kanë besim të plotë për rritjen e tregut kinez.
Përgjegjësi i PKMG-së për shërbimet ndërkombëtare Andreas Glunz tha: “Në përgjithësi, ndërmarrjet që morën pjesë në sondazh e vlerësuan pozitivisht gjendjen e biznesit gjatë vitit 2021. 63 për qind e tyre patën rritje të xhiros prej 5 për qind dhe afro 48 për qind siguruan një rritje të fitimeve prej të paktën 5 për qind. Afro 71 për qind e ndërmarrjeve të përfshira në sondazh thanë se do të vazhdojnë të shtojnë investimet në Kinë.”
Glunz tha se ia vlen të vihet re që afro 47 për qind e kompanive që planifikojnë të shtojnë investimet në Kinë, do të rritin investimet në kërkim-zhvillim.
“Kërkim-zhvillimi radhitet në vendin e dytë ndër drejtimet ku ndërmarrjet pjesëmarrëse në sondazh do të shtojnë investimet. Përqindja e këtyre ndërmarrjeve u ngrit 15 pikë përqindjeje në krahasim me sondazhin e vjetshëm, kur ishte 32 për qind. Edhe investimet në kërkim-zhvillim kanë pasur një rritje të shpejtë.”
Sipas sondazhit, ndërmarrjet gjermane në Kinë e kanë nxitur shumë lokalizimin e tyre. Mbi 90 për qind e këtyre ndërmarrjeve kanë realizuar lokalizimin e hallkave të bjerjes, prodhimit dhe shitjes, ndërsa mbi 80 për qind e tyre e kanë lokalizuar ose planifikojnë ta nxitin nivelin e lokalizimit të kërkim-zhvillimit.
Kryetari i bordit të drejtorëve të Dhomës Gjermane të Tregtisë në Shangai, Clas Neumann/ foto nga "thepaper.cn"
Kryetari i bordit të drejtorëve të Dhomës Gjermane të Tregtisë në Shangai, Clas Neumann, tha se shtimi i investimeve në kërkim-zhvillim është para së gjithash një kërkesë e tregut dhe e konsumatorëve. “Konsumatorët dhe partnerët tregtarë mendojnë se produktet e kërkuara e të zhvilluara në Kinë do të përshtaten më shumë me kërkesat e tregut e të konsumatorëve vendës. Krahas kësaj, ekosistemi i risive në Kinë është përmirësuar, duke nxitur novacionin jo vetëm në fushat e teknologjisë së lartë e të biznesit elektronik, por edhe në sektorë të tjerë. Ky është shkaku shumë i rëndësishëm i ngritjes së nivelit të lokalizimit të kërkim-zhvillimit.”
Nga rezultati i sondazhit del gjithashtu se afro 50 për qind e kompanive gjermane në Kinë janë të mendimit se konkurrentët e tyre kinezë do të bëhen udhëheqës të novacionit në sektorët e tyre brenda pesë vjetëve të ardhshëm. Kjo shifër është 15 pikë përqindjeje më e lartë në krahasim me pesë vjet më parë.