绿色---[lǜ sè]---gjelbër
Gjatë një interviste ditët e fundit, kryetari i Komitetit të Koordinimit për Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit pranë Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Juan Antonio Samaranch Jr., pohoi plotësisht konceptin e këtyre lojërave për “Olimpiadën e Gjelbër”.
Duke iu përgjigjur pyetjes përkatëse të gazetarëve, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Zhao Lijian vuri në dukje se, ashtu siç tha kryetari Samaranch Jr., ky edicion i Lojërave Olimpike karakterizohet nga “mbrojtja e mjedisit të gjelbër”, që lidhet jo vetëm me mbajtjen e premtimit të Kinës për uljen e shkarkimit të karbonit, por edhe i ofron botës rrugëzgjidhjen e Kinës në trajtimin e marrëdhënieve midis njeriut e natyrës dhe midis zhvillimit e mbrojtjes së mjedisit.
Baza e energjisë së përtëritshme në Zhangbei/ foto nga VCG
Zhao Lijiang tha se Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit janë i pari edicion i Olimpiadës që ka zbatuar “Agjendën Olimpike 2020” dhe konceptin e “Olimpiadës së Gjelbër” gjatë tërë procesit, d.m.th., paraqitjes së aplikimit, përgatitjes dhe zhvillimit.
“Në të 26 pallatet, stadiumet dhe fushat sportive në tre zonat e organizimit të lojërave do të realizohet për herë të parë në histori furnizimi 100 për qind me energji elektrike të gjelbër,” shpjegoi zëdhënësi i diplomacisë kineze. “Kjo do të thotë se mund të kursehen 4.9 milionë tonë qymyrgur standard në vit dhe të pakësohet me 12.8 milionë tonë lëshimi i dyoksidit të karbonit në vit. Mund të themi se Kina po e realizon krejtësisht konceptin e ‘Olimpiadës së Gjelbër’.”
Zhao bëri të ditur edhe prejardhjen e energjisë elektrike të gjelbër.
“Kemi një shprehje: ‘Era në Zhangbei fryn nga pranvera në dimër.’ Pikërisht duke shfrytëzuar energjinë e erës në Zhangbei, u krijua baza pilot e energjisë së përtëritshme. Kështu, era e pandërprerë në të katër stinët në Zhangbei shndërrohet në energjinë e pastër elektrike, që futet në rrjetin elektrik kombëtar dhe shpërndahet në tre zonat e konkurrimit të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit.” Kjo energji e erës nga Zhangbei u shërben jo vetëm objekteve olimpike, por ndriçon edhe qindra mijëra shtëpi në Pekin, shtoi Zhao.
Zona konkurruese olimpike në distriktin Yanqing/ foto nga VCG
Koncepti i “Olimpiadës së Gjelbër” mishërohet jo vetëm në fushën e energjisë, por edhe në vazhdueshmëri. Zëdhënësi Zhao mori një tjetër shembull: “Nëse miqtë gazetarë do të vizitojnë Parkun e Olimpiadës Dimërore ‘Zhangshanying’ në distriktin Yanqing të Pekinit, do të shohin se shumë pemë atje kanë ‘letërnjoftim’ me kodin dypërmasor. Pas skanimit të kodit, mund të shihet se këto pemë janë transplantuar nga zona olimpike në Yanqing, kur u ndërtua atje fusha e skive.” Shpërngulja e këtyre pemëve jo vetëm mbron gjelbërimin e zonës, por shpjegon më së miri edhe konceptin e “Olimpiadës së Gjelbër”.