挑战---[tiǎo zhàn]---sfidë
Në kohën kur njerëzimi përballet me shumë sfida globale, Kina paraqiti një projekt për forcimin dhe përmirësimin e qeverisjes globale: formimin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit. Në fillim të vitit 2017, presidenti i Kinës Xi Jinping mbajti në selinë e OKB-së në Gjenevë fjalimin me titull: “Formimi i bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit”, duke shpjeguar hollësisht këtë koncept. Ka kaluar pesë vjet, si është konkretizuar ky koncept në përballimin prej njerëzimit të sfidave globale?
Në fillim të këtij viti, ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi vizitoi tre vende afrikane: Eritrenë, Kenian dhe Komoret. Ky është viti i 32-të me radhë që ministri i Jashtëm kinez viziton Afrikën në fillim të vitit.
Uhuru Keyatta, presidenti i Kenias, u shpreh:
“Partneriteti ynë me Kinën nuk është një marrëdhënie e bazuar në atë që Kina na tregon se për çfarë kemi nevojë. Ai është partneritet miqsh që punojnë bashkërisht në përputhje me agjendën shoqërore e ekonomike të Kenias.”
Gjatë më shumë se 20 vjetëve, Kina ka ndërtuar në Afrikë mbi 80 vepra të mëdha të energjisë elektrike. Ndërkohë, me ndihmën e Kinës, në Afrikë janë ndërtuar mbi 130 objekte mjekësore, 45 stadiume e mbi 170 shkolla. Me bashkëpunimin e të dy palëve, janë përuruar edhe mbi 10 mijë km hekurudha, 100 km autostrada, afro një mijë ura, si dhe rreth njëqind porte detare.
Wu Jianghao, këshilltari i ministrit të Jashtëm të Kinës, tha:
“Kina dhe Afrika kanë shërbyer si shembull në ndërtimin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit. Objektivi i përgjithshëm i diplomacisë kineze është nxitja e formimit të marrëdhënieve ndërkombëtare të tipit të ri dhe të bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit. Ky koncept përputhet plotësisht me objektivin e Afrikës për vetëpërmirësimin e lulëzimin.”
Nga ana e tij, Munir Akram, kryetari i 76-të i Këshillit Ekonomik e Shoqëror të OKB-së, vuri në dukje:
“Kina ka qenë shtyllë në nxitjen e multilateralizmit, ka respektuar parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe ka mbrojtur vazhdimisht këto parime. Ajo ka krijuar edhe rrugën e vet të zhvillimit, duke demonstruar se si një vend mund të kalojë nga varfëria në sukseset e modernizimit dhe si mund të zhvillohet bashkëpunimi ndërkombëtar nëpërmjet nismave si ‘Një brez, një rrugë’”.
Deri në qershor 2021, Kina nënshkroi 206 dokumente bashkëpunimi për ndërtimin e “Një brez, një rrugë” me mbi 140 vende dhe 32 organizata ndërkombëtare. “Një brez, një rrugë” është bërë produkt publik ndërkombëtar i mirëpritur gjerësisht dhe platforma më masive e bashkëpunimit.
Heraldo Munoz, ish-ministri i Jashtëm i Kilit, u shpreh:
“Ndodhemi përpara sfidave globale që kanë të bëjnë me fatin e njerëzimit, si ndryshimi klimatik dhe pandemia, prandaj kemi nevojë për bashkëpunimin global. Në këtë drejtim, Kina ka luajtur rolin e një vendi të madh dhe ka mbajtur përgjegjësinë e vet në përballimin e këtyre sfidave”.
Jose Ricardo dos Santos,kryeekzekutivi i Grupit “Lide China” të Brazilit, vëren:
“2021-shi ishte një vit plot sfida. Gjatë pandemisë, Kina u ka ofruar mbi 2 miliardë doza vaksinash kundër COVID-19 më shumë se 120 vendeve e organizatave. Kjo është jo vetëm në favor të formimit të bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit, por ka pakësuar edhe dhimbjen e sjellë nga pandemia.”