外贸---[wài mào]---Tregtia e Jashtme
Sipas të dhënave të publikuara nga Administrata e Përgjithshme e Doganave e Kinës, tregtia e jashtme e Kinës në vitin 2021 ka arritur në 6.05 trilionë dollarë, duke shënuar një rekord të ri.
[Foto: VCG]
Vitin e kaluar, bota vijoi të përballej me pandeminë dhe zinxhiri global industrial dhe i furnizimit pati probleme të “bllokimit dhe shkëputjes”. Por si arriti Kina të ketë një rezultat aq të mirë?
Së pari, Kina është një ndër vendet udhëheqëse në parandalimin dhe kontrollin e pandemisë dhe zhvillimin ekonomik në botë, dhe kërkesa e prodhimit dhe ajo e konsumit i japin rritjes së tregtisë së jashtme mbështetje të fortë. Njëkohësisht, ekonomia globale është në rritje dhe kërkesa jashtë Kinës është shtuar. Sipas “Bloomberg”-ut, nga produktet elektronike deri në mobiliet, tregu botëror ka kërkesë të madhe për produktet kineze. Vlen të përmendet se vitin e kaluar eksporti i barnave dhe materialeve mjekësore i Kinës u rrit 101.2 për qind, duke mbështetur luftën botërore kundër pandemisë.
[Foto: VCG]
Rritja e tregtisë së jashtme të Kinës ka lidhje të ngushtë edhe me politikat e qeverisë kineze për rritjen e qëndrueshme ekonomike. Këto politika përfshijnë mbështetjen e financimit për ndërmarrjet e mesme dhe të vogla dhe ndërmarrjet e prodhimit, përmirësimin e mjedisit të biznesit, reformën për lehtësimin e mëtejshëm të tregtisë ndërkufitare dhe reformën për lehtësimin e tregtisë dhe investimeve në zonat pilot të tregtisë së lirë etj.
Rritja e tregtisë së jashtme të Kinë ka shumë rëndësi për zinxhirin industrial dhe zinxhirin e furnizimit. Në vitin 2021, import-eksporti i Kinës me partnerët kryesorë tregtarë të saj kanë pasur një rritje të qëndrueshme. Sidomos vendet përgjatë “Një brez, një rrugë” patën një rritje relativisht më të madhe , duke arritur 23.6 %, 2.2 pikë përqindjeje më shumë se rritja e përgjithshme.
[Foto: VCG]
Gjatë pandemisë, tregtia e jashtme e Kinës ka dhënë një mbështetje të fortë për rimëkëmbjen e vendeve në zhvillim. Marrëveshja e Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) hyri zyrtarisht në fuqi, duke përfshirë 6 vende të ASEAN-it, Kinën, Japoninë, Zelandën e Re dhe Australinë. Funksionimi i kësaj zone më të madhe të tregtisë së lirë në botë do të nxitë dukshëm investimet dhe tregtinë rajonale.
Për shkak të pandemisë dhe ndryshimit të mjedisit të jashtëm, mund të shohim se zhvillimi i tregtisë së jashtme të Kinës do të përballojë sivjet shumë sfida. Por një gjë e sigurt është se bazat për rritjen afatgjatë të ekonomisë kineze nuk do të ndryshojnë në përgjithësi , duke i dhënë përkrahje të fortë qëndrueshmërisë së tregtisë së jashtme dhe energji të re rritjes të tregtisë globale dhe rimëkëmbjes ekonomike botërore. (Li Huailiang/Artan)