航班---[háng bān]---fluturim
Sipas të dhënave të publikuara të mërkurën nga Administrata Shtetërore e Aviacionit Civil e Kinës (CAAC), në vitin 2021 vëllimi i përgjithshëm i transportit në Kinë arriti në 85.7 miliardë tonë- kilometra, transporti i udhëtarëve ishte 440 milionë veta dhe i mallrave 7.32 milionë tonë, përkatësisht 7.3%, 5.5% dhe 8.2% më shumë se në vitin 2020.
Foto:VCG
Zv.drejtori i transportit i CAAC-së, Xu Qing, bëri të ditur që, në vitin 2021, me gjendjen e ndërlikuar, CAAC bashkërendoi nxitjen e zhvillimit të logjistikës ajrore me parandalimin e kontrollin e epidemisë dhe ka përmirësuar vazhdimisht planet mbi terminalet ndërkombëtare logjistike, duke ngritur pandërprerë nivelin e transportit ajror të mallrave.
“Në vitin 2021, janë kryer 200 mijë fluturime ndërkombëtare për transportin e mallrave, 22% më shumë se në vitin 2022. Ndër to, 69 mijë kanë qenë fluturime pasagjerësh. Janë transportuar 7.32 milionë tonë mallra, 8.2% më shumë se të njëjtën periudhë të vitit 2020, duke arritur në 97.2% të nivelit të 2019-s. Krahas kësaj, janë garantuar mbi 120 mijë fluturime të posaçme antiepidemike, të cilat kanë transportuar mbi 470 mijë tonë materiale antiepidemike. Ndërkohë, janë garantuar mbi 2000 fluturime për dërgimin e vaksinave të COVID-19, duke mbartur afro 16 mijë tonë vaksina,” theksoi Xu Qing.
Të dhënat tregojnë që, në 2021-shin, sektori i aviacionit civil ka bërë 115 miliadë juanë investime, 6.4% më shumë se një vit më parë, duke i kaluar 10 milionë juanët për dy vjet me radhë. Korridori i madh ajror Shanghai-Chongqing është hapur zyrtarisht, korridori i madh ajror Pekin-Guangzhou ka pasur zhvillim të dukshëm në pjesën jugore dhe Qendra e Hapësirës Globale të Motit e Konsorciumit Kinë-Rusi është vënë në përdorim. Aeroportet ndërkombëtare në Chengdu dhe Qingdao kanë filluar shërbimin dhe numri i aeroporteve të certifikuara të transportit në mbarë vendin arriti në 248.
Zv.drejtori i Departamentit të Punëve të Përgjithshme të CAAC-së, Sun Wensheng u shpreh që sivjet, nëse gjendja epidemike nuk luhatet shpesh, sektori i aviacionit i Kinës do të përpiqet për të kaluar nga humbja në fitim.
“Në vitin 2022, do të përpiqemi të kryejmë një vëllim transporti 104 miliardë tonë-kilometra, 570 milionë pasagjerë e 7.8 milionë tona mallra dhe të kthehemi në rreth 85% të nivelit para shpërthimit të epidemisë. Ndërkohë, do të përpiqemi që niveli i normalitetit të fluturimeve të arrijë në mbi 80% dhe niveli mesatar i ngritjes normale dhe i nisjes normale të arrijnë në 85%. Nëse gjendja epidemike nuk luhatet shumë, do të përpiqemi për të kaluar nga humbja në fitim,” u shpreh Sun Wensheng.
Përveç kësaj, CAAC do të nxitë zbatimin e projekteve kryesore, do të ndërtojë sistemin modern kombëtar të aeroporteve dhe do të përpiqet që të ketë 256 aeroporte të certifikuara transporti deri në fund të vitit 2022. (Jiang Lei)