文明---[wén míng]---qytetërim
Të hënën u zhvillua në Pekin Dialogu i 2-të i Shkëmbimeve dhe i Mësimit të Ndërsjellë mes Qytetërimeve. Ky dialog është organizuar nga Shoqata e Shkëmbimeve Ndërkombëtare e Kinës dhe ka tërhequr afro 260 pjesëmarrës në internet dhe në vendin e zhvillimit.
Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit kanë tërhequr vëmendjen e pjesëmarrësve, të cilët u shprehën që lojërat olimpike do të nxisin shkëmbimet mes qytetërimeve e kulturave dhe do të sjellin bashkimin e forcave të tyre.
Sporti është një mënyrë e rëndësishme për shkëmbimet ndërmjet qytetërimeve dhe fryma olimpike e mirëkuptimit, miqësisë e bashkimit dhe konkurrimit të barabartë, kanë dhënë kontribut të dukshëm për paqen dhe zhvillimin në botë.
Në korrik 2021, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar mori vendim që t’i shtojë motos olimpike “Më shpejt, më lart, më fort” edhe “më të bashkuar”.
Në ceremoninë e hapjes së dialogut, trajneri i ekipit të basketbollit “Beijing Royal Fighter”, Stephon Marbury, u shpreh në një videofjalim se parulla e Olimpiadës Dimërore të Pekinit “Le të ecim drejt së ardhmes” përshtatet në mënyrë të përkryer me moton olimpike, si edhe me vlerat dhe perspektivat thelbësore të lëvizjes olimpike.
Stephon Marbury theksoi që edhe ai vetë është përfitues nga shkëmbimet kulturore: “Kam punuar e jetuar mbi 10 vjet në Kinë. Kam bashkëpunuar ngushtë me shokët e kolegët e mi dhe kam shijuar jetën bashkë me miqtë dhe tifozët. Më pëlqen të qëndroj me njerëz të thjeshtë në Kinë dhe të ndajmë bashkë frytet e shkëmbimeve kulturore mes Kinës dhe ShBA-së. Unë mendoj që bashkimi është baza e përparimit dhe e suksesit për një ekip dhe është parakushti për lumturinë e për vlerat personale.”
Përfaqësuesi i Fondacionit “Friedrich Ebert” në Pekin, Alexander Kallweit, u shpreh që dy vjet më parë, ai u ftua për të parë gjendjen e përgatitjeve të Lojërave Dimërore të Pekinit dhe Pekini i ka lënë atij përshtypje shumë të thellë me konceptin e zhvillimit dhe punët e rregullta përgatitore. Ai beson që Olimpiada Dimërore e Pekinit do të ketë sukses dhe do të luajë rol pozitiv në shkëmbimet kulturore.
“Sportistët e vendeve të ndryshme vijnë për të konkurruar, por fryma olimpike shkon përtej konkurrimit. Sportistët mund të shtojnë komunikimin dhe lidhjet mes njëri-tjetrit me anë të lojërave olimpike. Pasi të kthehen, ata jo vetëm do të kenë më shumë aftësi konkurruese, por edhe më shumë njohje për qytetërimet e ndryshme. Unë shpresoj që, edhe pse në gjendjen epidemike, ky objektiv do të realizohet,” tha Alexander Kallweit.
Kryetarja e Shoqatës së Patinazhit Artistik të Kinës dhe kampionia olimpike në patinazh artistik, Shen Xue, u shpreh që këto vitet e fundit ajo ka ndier konkretisht që sportet dimërore janë përhapur gjithnjë e më shumë dhe Kina e ka arritur para kohe objektivin që 300 milionë njerëz të përfshihen në sportet e dëborës dhe akullit:
“Para se të fitonim të drejtën e zhvillimit të Olimpiadës Dimërore 2022, një e treta e sporteve dimërore nuk ishte e zhvilluar aspak në Kinë. Nuk kishte terrene, as sportistë, as trajnerë. Ndërsa sot kemi formuar ekipe sportive për të gjitha sportet dimërore. Me përpjekjet gjatë këtyre viteve dhe me mbështetjen nga të gjithë sektorët e shoqërisë, njerëzit po i njohin më shumë sportet dimërore të Kinës dhe më shumë të rinj e fëmijë po marrin pjesë në to. Prandaj, kemi realizuar para kohe objektivin ‘300 milionë pjesëmarrës në sportet dimërore’.” (Jiang Lei)