核武器---[hé wǔ qì]---Armë bërthamore
Në fillim të vitit 2022, udhëheqësit e pesë vendeve me armë bërthamore - Kinës, Rusisë, ShBA-së, Britanisë, Francës - publikuan “Deklaratën e përbashkët për parandalimin e luftës bërthamore dhe shmangien e garës së armatimeve”. Në këtë deklaratë vihet në dukje se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet e nuk duhet të zhvillohet, dhe ritheksohet se armët bërthamore të këtyre vendeve nuk synojnë njëri-tjetrin ose ndonjë vend tjetër, me qëllim që të krijohet më në fund një botë pa armë bërthamore me siguri për të gjithë.
Kjo është hera e parë që udhëheqësit e pesë vendeve me armë bërthamore bëjnë një deklaratë për problemin e armëve bërthamore, ku shprehet vullneti i tyre i përbashkët për parandalimin e luftës bërthamore, ruajtjen e stabilitetit global dhe pakësimin e rreziqeve të konfliktit bërthamor. Bashkësia ndërkombëtare e ka përshëndetur gjerësisht këtë veprim.
Pas krijimit të armëve bërthamore, siguria bërthamore ka qenë gjithmonë një çështje shumë e rëndësishme për njerëzimin. Tani midis vendeve të mëdha mungon besimi i ndërsjellë dhe është acaruar konkurrenca mes tyre, duke shtuar rreziqet ndaj sigurisë strategjike globale. Bashkësia ndërkombëtare është e shqetësuar që, nëse shpërthen konflikt ushtarak mes fuqive bërthamore, do të lindin pasoja të paparashikueshme.
Pesë vendet me armë bërthamore janë gjithashtu anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kanë përgjegjësi të madhe për mbrojtjen e paqes e të sigurisë ndërkombëtare. Kjo deklaratë e përbashkët nga udhëheqësit e pesë vendeve do të jetë sigurisht në ndihmë të shtimit të besimit të ndërsjellë dhe të zbutjes së shqetësimit global për sigurinë strategjike.
Kina ka luajtur rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Që nga dita e parë e zotërimit të armëve bërthamore, Kina ka propozuar të ndalohen në mënyrë të gjithanshme dhe të zhduken rrënjësisht armët bërthamore, duke e mbajtur arsenalin e vet bërthamor në nivelin më të ulët në përputhje me kërkesat e sigurisë kombëtare. Kina respekton gjithmonë politikën e mospërdorimit e para të armëve bërthamore në çfarëdo kohe e rrethane, duke premtuar se nuk do të përdorë kurrë armë bërthamore kundër vendeve e rajoneve pa armë bërthamore. Kina është i vetmi ndër pesë vendet me armë bërthamore që ka bërë një premtim të tillë.
Njëkohësisht, Kina ka nxitur aktivisht veprimet e përbashkëta të pesë vendeve me armë bërthamore. Në vitin 2019, Kina organizoi takimin e pesë vendeve në Pekin duke rinisur procesin e bashkëpunimit mes tyre që kishte hyrë në ngërç.
Arritja e deklaratës së përbashkët nga pesë vendet me armë bërthamore është një pikënisje e re dhe ka rëndësi të madhe. Por veprimet janë më të rëndësishme se fjalët. Kina shpreson që, në bazë të kësaj deklarate, pesë vendet do të heqin dorë nga politika e kërcënimit bërthamor dhe do të nënshkruajnë dokumente ligjore ndërkombëtare për mospërdorimin të parat të armëve bërthamore, për të ndërtuar një botë me paqe afatgjatë e siguri për të gjithë. Kina do të vazhdojë të bëjë përpjekje në këtë drejtim. (Foto nga VCG)