团结---[tuán jíe]---Bashkim
Pas një muaji, do të hapen Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit. Gjithë bota pret që ky takim madhështor sportiv të zhdukë mosmarrëveshjet dhe të shtojë forcat, duke i sjellë njerëzimit shpresë gjatë pandemisë.
Sot bota po përballon shumë sfida: vazhdimi i pandemisë së COVID19, ndodhja shpesh e krizave të besimit, mosmarrëveshjeve dhe konflikteve mes vendeve të ndryshme, si edhe ndërhyrja e faktorëve politikë në sportet. Në këtë sfond, organizimi me sukses i Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit do të forcojë sigurisht miqësinë mes popujve të ndryshëm dhe besimin e njerëzve për mposhtjen e pandemisë.
Me afrimin e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, bashkësia ndërkombëtare ka bërë gjithashtu thirrje për bashkim dhe për kundërshtimin e politizimit të sporteve. Ditët e fundit, kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach theksoi në një artikull në revistën “Olympic Review” se Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 do të jenë një moment i rëndësishëm për bashkimin e botën me anën e paqes, miqësisë dhe solidaritetit.
Kurse koordinatori i OKB-së në Kinë Siddharth Chatterjee tha: “Teksa pandemia po rrënon jetën e njerëzve, Lojërat Olimpike kanë ngjallur shpresë dhe kanë frymëzuar për bashkim.” Nga ana e saj, skiatorja amerikane, fituese e medaljeve të arta në dy Lojëra Olimpike Dimërore, Mikaela Schiffrin, u shpreh: “Lojërat Olimpike Dimërore janë jo vetëm një takim sportiv, por më e rëndësishmja është që ato shfaqin frymën e bashkimit të botës. Ne ndiejmë miqësinë nëpërmjet sporteve.”
Pekini do të jetë qyteti i parë në botë që organizon si Lojërat Olimpike Verore, edhe Lojërat Olimpike Dimërore. Tani puna përgatitore për Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit ka hyrë në fazën përfundimtare. Të 12 stadiumet e pallatet ku do të organizohen ndeshjet dhe garat kanë përfunduar së ndërtuari dhe plotësojnë të gjitha kushtet e zhvillimit të veprimtarive sportive në to, e po ashtu edhe fshatrat olimpike dhe qendra e medias janë vënë në funksionim. Nga tetori deri në fund të dhjetorit të vitit 2021, në 8 stadiume u zhvilluan 10 gara ndërkombëtare ku morën pjesë mbi 2000 sportistë të huaj. Presidenti i klubit sportiv “Levski” të Bullgarisë Lusein Velchev botoi ditët e fundit një artikull ku vlerësohet: “Puna përgatitore e Pekinit për Lojërat Olimpike Dimërore 2022 është e përsosur. Të gjitha objektet e pajisjet janë gati. Këto kushte janë të mrekullueshme për sportistët dhe shikuesit.”
Jemi të bindur se pas një muaji, Pekini do të organizojë një takim sportiv të thjeshtë, të sigurt e të mrekullueshëm, duke e inkurajuar botën të dalë nga pandemia. (Fani/Artan)