香港---[xiāng gǎng]---Hong-Kong
Të hënën u zhvillua në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut ceremonia e betimit të 90 ligjvënësve të zgjedhur për mandatin e 7-të të Këshillit Legjislativ.
Ligjvënësit u betuan një nga një për besnikëri ndaj Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut dhe për zbatimin e Ligjit Themelor, pasi kënduan himnin kombëtar të Kinës së bashku me kryeekzekutiven e Rajonit të Posaçëm Carrie Lam.
Ceremonia e betimit filloi në orën 11 paradite sipas orës lokale. Rreth orës 17.15, kryeekzekutivja Carrie Lam bëri një deklaratë, ku u shpreh se betimet e bëra nga 90 ligjvënësit e zgjedhur të Këshillit Legjislativ janë të vlefshme.
Kjo është hera e parë në historinë e Këshillit Legjislativ të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut që ligjvënësit betohen para stemës kombëtare.
Sipas Rregullores së Flamurit Kombëtar dhe të Stemës Kombëtare të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut që hyri në fuqi në tetor të vitit 2021, flamuri dhe stema kombëtare duhet të shfaqen në ceremonitë e betimit të kryeekzekutivit, të zyrtarëve kryesorë, të organeve të gjyqësorit, të Këshillit Ekzekutiv, të Këshillit Legjislativ dhe të Këshillit të Distriktit.
Bërja e betimit është detyruese ligjërisht. Ata që bëjnë betimin, duhet të besojnë sinqerisht dhe të zbatojnë rreptësisht betimin përkatës të përcaktuar nga ligji. Ai që bën betim të rremë ose që shkel betimin e bërë mban përgjegjësi ligjore.
Zyra e Çështjeve të Hong-Kongut dhe të Makaos e Këshillit të Shtetit të Kinës dhe Zyra Ndërlidhëse e Qeverisë Qendrore në Hong-Kong u dërguan urime të veçanta ligjvënësve, duke shprehur bindjen se mandati i 7-t i Këshillit Legjislativ do të jetë në favor të interesave të përgjithshme dhe afatgjata të Hong-Kongut.
Këshillit Legjislativ i ri e filloi mandatin 4-vjeçar të shtunën e kaluar dhe pritet ta zhvillojë seanën e parë më 12 janar.
Zgjedhjet e Këshillit Legjislativ janë zgjedhjet e para pas përmirësimit të sistemit zgjedhor të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut, të cilat u zhvilluan më 19 dhjetor të vitit 2021.
Gjatë zgjedhjeve, gjithsej 153 kandidatë konkurruan për 90 vende, ndër të cilat 20 vende janë nga zonat zgjedhore gjeografike, 30 nga zonat zgjedhore funksionale dhe 40 nga zona e Komisionit Zgjedhor. (Foto nga VCG)