清单---[nóng cūn] ---listë

Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës dhe Ministria e Tregtisë e Kinës publikuan të hënën Listën Negative Kombëtare 2021 dhe Listën Negative të Zonës së Tregtisë së Lirë 2021 për hyrjen e investimeve të huaja. Këto dy lista negative do të hyjnë zyrtarisht në fuqi më 1 janar të vitit 2022. Në krahasim me listat negative të vitit 2020, në variantet e reja pakësohen më tej kufizimet. Kështu, Kina shkurton kufizimet e dy listave negative për vitin e pestë me radhë.

Në krahasim me listat negative të vitit 2020, në Listën Negative Kombëtare 2021 janë hequr dy masa kufizuese, duke i çuar ato nga 33 në 31, kurse numri i masave kufizuese në Listën Negative të Zonës së Tregtisë së Lirë 2021 është ulur nga 30 në 27.

Vlen të përmendet që për herë të parë, Kina ka hequr krejtësisht kufizimet e prodhimit në Listën Negative të Zonës së Tregtisë së Lirë 2021. Në fushën e prodhimit të automjeteve të udhëtarëve, Kina ka hequr kufizimet e përqindjes së aksioneve ndaj investimeve të huaja, kurse për sa i përket prodhimit të pajisjeve radiotelevizive, janë hequr kufizimet për investimet e huaja në pajisjet e marrjes së sinjaleve radiotelevizive dhe pajisjet kyçe. Zyrtari i Komisionit Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës Wu Hongliang tha:

"Në zonat e tregtisë së lirë është realizuar hapja e plotë për investimet e huaja, që është gjithashtu edhe një masë për shtimin e stresit të testimit në këto zona."

Përveç kësaj, varianti i ri i listës negative ka lehtësuar hyrjen e investimeve të huaja në sektorët e shërbimeve.

Në këtë listë është shtuar një klauzolë e financimit ndërkombëtar për kompanitë kineze që merren me fushat e ndaluara për investimet e huaja, pas miratimit nga sektorët përkatës. Wu Hongliang tha:

"Kjo ofron hapësirë për politikën e financimit të kompanive përkatëse jashtë Kinës."

Nga viti 2017 deri në vitin 2020, Kina ka rishikuar për katër vjet me radhë Listën Negative Kombëtare dhe Listën Negative të Zonës së Tregtisë së Lirë për hyrjen e investimeve të huaja. Masat kufizuese në këto dy lista u shkurtuan përkatësisht nga 93 në 33 e nga 122 në 30. Profesori i Universitetit të Ekonomisë dhe Tregtisë së Jashtme Cui Fan u shpreh:

"Në disa vjetët e kaluar, në listat negative për hyrjen e investimeve të huaja janë hequr vazhdimisht masat kufizuese. Procesi i heqjes së kufizimeve është edhe procesi i zgjerimit pandërprerë të hapjes. Kjo është një masë e rëndësishme e hapjes së Kinës."

Sivjet është 20-vjetori i anëtarësimit të Kinës në Organizatën Botërore e Tregtisë. Heqja e mëtejshme e kufizimeve në listat negative për hyrjen e investimeve të huaja është një veprim konkret i ndarjes së rasteve të zhvillimit të Kinës me botën dhe i nxitjes së globalizimit ekonomik. Sipas të dhënave statistikore, në 11 muajt e parë të këtij viti, shfrytëzimi real i investimeve të huaja në Kinë i kaloi 1 trilionë juanët (afro 163 miliardë dollarë), duke u shtuar me 15.9 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. (Xu Guang)