都灵---[dū líng]---Torino
Foto:VCG
Qyteti Torino i Italisë Veriore ku u zhvilluan Lojërat Olimpike Dimërore 2006, ka qenë një qytet industrial që mbështetej kryesisht në prodhimin e makinerive dhe të automjeteve. Nga shekulli i kaluar deri tani, Torino kreu shndërrimin nga qytet industrial në një qytet kulturor. Organizimi i Lojërave Oimpike Dimërore ofroi rastin e madh për këtë ndryshim. Gjatë këtij procesi, edhe pamja e qytetit dhe shpirti i njerëzve të tij ndryshuan shumë.
Torino ka afro 900 mijë banorë dhe zë vendin e dytë në Itali për vëllimin e përgjithshëm ekonomik. Torino ka qenë “kryeqyteti i makinave” i Italisë, por me transformimin industrial dhe zhvendosjen e fabrikave e të uzinave, u synua drejt ndërtimit të një qyteti të "kulturës, turizmit, tregtisë dhe sporteve" në fund të shekullit të kaluar, dhe Lojërat Olimpike Dimërore ofruan rastin për zhvillimin e këtij qyteti.
Gjatë Lojërave Olimpike Dimërore 2006, Qendra e Administrimit të Lojërave Olimpike Dimërore të Torinos nisi projektin "Imazhi i qytetit", duke filluar zbukurimin e qytetit për të krijuar atmosferën e lojërave olimpike dhe për të krijuar qytetin kulturor. Fernando Manfredi, banor i Torinos, tha: "I gjithë qyteti është rinovuar dhe është shumë i rregullt, duke treguar të gjitha elementet e bukura të marrëdhënieve midis Torinos dhe sporteve dimërore. Torino dikur ishte një qytet i lidhur ngushtë me prodhimin. Papritur u bë një qytet shumëngjyrësh dhe që vlon. Ky është kujtimi im i asaj periudhe ."
Përveç ndryshimit të pamjes së qytetit, banorët e këtushëm, nëpërmjet pjesëmarrjes në lojërat olimpike dimërore, gjetën drejtimet e zhvillimit në të ardhmen. Alessandra Aire ishte vullnetare gjatë Lojërave Olimpike Dimorore 2006. Ende duke punuar si vullnetare, ajo beson se trashëgimia më e bukur e Lojërave Olimpike Dimërore të Torinos është entuziazmi dhe mikpritja e torinezëve gjatë Lojërave Olimpike Dimërore.
Pas Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022, Milano dhe Kortina në Itali do të zhvillojnë Olimpiadën e ardhshme Dimërore, duke e bërë Italinë vend organizator të gjithsej katër olimpiadave verore dhe dimërore. Duke folur për lidhjen midis Italisë dhe Olimpiadës, Anna Martina, drejtore e Qendrës së Menaxhimit Operacional të qytetit gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të Torinos në atë kohë, tha se pritja e Lojërave Olimpike disa herë ka dëshmuar aftësinë e Italisë për të organizuar ngjarje të mëdha sportive:
"Besoj se Italia është një vend ku sporti lidhet me jetën në mënyrë të përsosur. Përveç sportit, edhe bukuritë e Italisë janë shumë tërheqëse. Mendoj se ky është një faktor shumë i rëndësishëm. Përveç kësaj, Italia me krenari i tregoi botës se mund të organizojë me sukses aktivitete të mëdha, kështu që, nëse kombinojmë aftësitë organizative me bukuritë e Italisë, mund të tregojmë se Italia është një vend shumë i përshtatshëm për organizimin e ngjarjeve me përmasa të mëdha, veçanërisht të Lojërave Olimpike”. (Çang Çuo)