投票---[tóu piào]---votim
foto nga VCG
Votimi për zgjedhjen e Këshillit të 7-të Legjislativ të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut përfundoi me sukses rreth orës 23 të së dielës. Këto janë zgjedhjet e para për Këshillin Legjislativ të mbajtura në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut pas përmirësimit të sistemit zgjedhor.
Votimi filloi në orën 8 e 30 të po asaj dite. Funksionimi i përgjithshëm i qendrave të votimit ishte i rregullt, i sigurt e i qëndrueshëm dhe votimi u zhvillua pa probleme.
Atë ditë, rreth 630 qendra votimi të përgjithshme dhe jo më shumë se 24 qendra votimi të dedikuara u hapën në Hong-Kong për të votuar 4.47 milionë votues të regjistruar. Përveç kësaj, Zyra e Regjistrimit dhe e Zgjedhjeve ngriti gjithashtu qendra votimi në tre hyrje nga Shen Zhen të Kinës lindore për t'u dhënë mundësi të votojnë votuesve të Hong-Kongut që ndodhen në pjesën kontinentale për shkak të epidemisë.
foto nga VCG
Nënkryetari i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, Liang Zhenying, tha pas votimit në Qendrën e Konventave dhe Ekspozitave se këto janë zgjedhjet e para për Këshillin Legjislativ pas përmirësimit të sistemit zgjedhor të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut. Ai beson se përbërja e Këshillit të ri Legjislativ përputhet me parimin "Qeverisje e Hong-Kongut nga patriotët", është gjerësisht përfaqësuese dhe do ta ndihmojë Hong- Kongun të zhvillohet më mirë.
Kryeekzekutivja e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut, Carrie Lam votoi në orën 9 të mëngjesit. Pas votimit, znj. Lam tha se zgjedhjet e Këshillit Legjislativ janë të një rëndësie të madhe. “Shpresoj që shumica e votuesve të votojnë në mënyrë aktive, të përmbushin përgjegjësitë e tyre qytetare dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në kohën e duhur. Më e rëndësishmja, ata do të hedhin një votë të sigurt për sistemin zgjedhor të përmirësuar të Këshillit legjislativ dhe të ardhmen e Hong Kongut dhe do të vendosin themelet për stabilitetin afatgjatë të Hong- Kongut,” theksoi ajo.
Njëzet anëtarë të Këshillit të 7-të Legjislativ të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut të Kinës janë zgjedhur në 10 zona zgjedhore gjeografike, tha të hënën në mëngjes Komisioni i Çështjeve Zgjedhore.
foto nga VCG
Gjithsej 35 kandidatë garuan për 20 mandate në këto 10 zona zgjedhore.
Shumë votues thanë pas votimit se procesi i votimit ishte i shpejtë dhe i qetë. Ata shpresojnë se Këshilli i ri Legjislativ do t'i japë lamtumirën gjendjes së ndërlikuar të së kaluarës, do të fokusohet në jetesën e njerëzve, do të përmirësojë jetën e tyre dhe do të hapë një të ardhme më të mirë për Hong-Kongun.
Mandati i Këshillit të 7-të Legjislativ të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut do të fillojë më 1 janar 2022 dhe do të zgjatë katër vjet.