典范---[diǎn fàn]---Shembull

Lidhjet e ngushta midis Kinës dhe Rusisë po forcohen edhe më shumë, ndërsa të dy vendet janë duke bashkëpunuar në përballimin e sfidave të mëdha globale, si pandemia e COVID-19.

Takimi virtual midis Xin Jinping-ut dhe homologut rus Vladmir Putin(CMG)

Takimi virtual midis Xin Jinping-ut dhe homologut rus Vladmir Putin(CMG)

Forcimi i këtyre lidhjeve mund të shihet nga takimi virtual i së mërkurës midis krerëve të të dy shteteve, ku presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij rus Vladmir Putin i cilësuan marrëdhëniet dypalëshe si "një shembull i marrëdhënieve në shekullin e 21-të", duke u zotuar për t'i çuar ato përpara në mënyrë të gjithanshme.

Gjatë takimit, kreu i shtetit i Kinës përshëndeti zhvillimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit të ngushtë midis dy vendeve në fusha të ndryshme.

Ai vlerësoi lart mbështetjen e Rusisë ndaj Kinës në mbrojtjen e interesave thelbësore dhe kundërshtimin e synimeve për të krijuar çarje midis dy vendeve.

Duke vënë në dukje se sivjet është 20-vjetori i nënshkrimit të Traktatit të Fqinjësisë së Mirë e të Bashkëpunimit Miqësor Kinë-Rusi dhe se të dy palët kanë vendosur ta zgjatin edhe pesë vjet të tjerë këtë marrëveshje, presidenti Xi tha zgjatja e afatit do të pasurohet me frymë dhe përmbajtje të reja. Ai theksoi se dy vendet do të përkrahin pa u lëkundur njëri-tjetrin në çështjet me interes thelbësor dhe do të mbrojnë dinjitetin kombëtar e interesat e përbashkët. "Jam i gatshëm të bashkëpunoj me ju për të hartuar një plan të ri për bashkëpunimin dypalësh në bazë të rezultateve të sivjetshme, duke nxitur zhvillimin në nivel më të lartë të marrëdhënieve mes vendeve tona", tha presidenti kinez.

Kreu i shtetit i Kinës u bëri thirrje në takim të dy palëve të ndajnë mundësitë e zhvillimit, duke nënvizuar bashkëpunimin dypalësh në fushat e energjisë dhe frenimit të COVID-19. Ai vuri në dukje se Kina dhe Rusia duhet të shtojnë bashkëpunimin në energjitë e reja, duke konsoliduar bashkëpunimin në fushën e energjisë tradicionale dhe duke forcuar bashkëpunimin lidhur me energjinë bërthamore dhe energjinë e përtëritshme.

Xi Jinping-u shprehu edhe mirëpritjen për pjesëmarrjen e homologut të tij rus në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022. Duke theksuar se Kina do të organizojë një miting sportiv "të sigurt, të mrekullueshëm dhe ekonomik", ai shprehu edhe gatishmërinë për të shtuar shkëmbimet sportive midis dy vendeve.

Vendzhvillimi i takimit virtual, Pallat i Madh i Popullit,Pekin(CMG)

Vendzhvillimi i takimit virtual, Pallat i Madh i Popullit,Pekin(CMG)

Për sa i përket misionit të Kinës, Xi tha se ai është "i madh, por i thjeshtë": realizimi i një jete më të mirë për gjithë popullin kinez. "Vënia e popullit në plan të parë është filozofia themelore e qeverisjes sonë", shtoi presidenti kinez.

Ai shprehu në takim edhe kundërshtimin ndaj veprimeve hegjemoniste dhe mendësisë së Luftës së Ftohtë të zbatuar në emrin e "multilateralizmit" dhe "rregullave". Duke e cilësuar demokracinë si një vlerë të përbashkët të njerëzimit, Xi Jinping-u theksoi se, nëse një vend është demokratik apo jo, këtë mund ta gjykojë vetëm populli i këtij vendi dhe askush tjetër.

Ndërsa Putini u shpreh ana e tij se tani marrëdhëniet ruso-kineze ndodhen në fazën më të mirë në histori, duke shfaqur një besim të fortë strategjik dhe duke krijuar një shembull të marrëdhënieve ndërkombëtare në shekullin e 21-të që bazohen mbi mosndërhyrjen në punët e brendshme, respektimin e interesave të njëri-tjetrit dhe bashkëpunim me leverdi të ndërsjellë. "Bashkëpunimi strategjik Rusi-Kinë janë bërë një faktor i rëndësishëm pozitiv për zgjidhjen e problemeve të nxehta ndërkombëtare dhe ruajtjen e paqes botërore, duke luajtur një rol të rëndësishëm për konsolidimin e rendit shoqëror në bazë të ligjit ndërkombëtar", tha presidenti rus.

Ai u shpreh se pret me padurim pjesëmarrjen në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit dhe kundërshtoi politizimin e sportit. Kreu i Kremlinit theksoi se Rusia është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fusha të ndryshme dhe mbështet me vendosmëri qëndrimet e drejta të Kinës mbi çështjen e Tajvanit. "Rusia kundërshton çdo forcë që synon të dëmtojë interesat e palës kineze me pretekstin e Tajvanit dhe çdo orvatje për të krijuar çarje në marrëdhëniet Rusi-Kinë nuk do të realizohet", theksoi presidenti rus.

Siç mësohet, tregtia midis Kinës dhe Rusisë në tre tremujorët e parë të këtij viti i kaloi 100 miliardë dollarët amerikanë, duke shënuar një rekord të ri historik.(Zhang Yan/Artan)