精神---[jīng shén]---Frymë
Kina do të mbrojë e palëkundur parimin e demokracisë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe do të promovojë "frymën e demokracisë së vërtetë", tha anëtari i Këshillit të Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi.
Anëtari i Këshillit të Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi
Në një artikull të publikuar në uebsajtin e gazetës shtetërore "Renminribao" të botuar të dielën, kryediplomati kinez ritheksoi se demokracia nuk është "prodhim në masë" sipas të njëjtit model.
"Ka rrugë dhe qëndrime të ndryshme ndaj kësaj pyetjeje. Disa mendojnë se demokracia perëndimore është e vetmja përgjigje, prandaj kërkojnë të ‘transplantojnë’ atë me forcë dhe t’ia imponojnë atë të gjithë botës. Disa e marrin modelin e një vendi si kriter, duke provokuar tensione midis sistemeve politike e ideologjike dhe duke krijuar ndarje dhe konfrontim në botë," u shpreh Wang, duke shtuar se "pa dyshim, asnjë prej tyre nuk është demokraci e vërtetë, por është demokraci e rreme duke përdorur konceptin e demokracisë si mbulesë."
Wang-u vuri në dukje se Partia Komuniste e Kinës e ka udhëhequr popullin kinez në kërkimin e një forme të re të demokracisë që përputhet me kushtet e veta, që është demokracia popullore në gjithë procesin.
Kina ka besim te demokracia e saj, por respekton edhe demokracinë e vendeve të tjera dhe nuk do ta eksportojë demokracinë e vet në vende të tjera, tha kreu i diplomacisë kineze.
"Jemi të gatshëm të komunikojmë mbi bazën e barazisë, të shkëmbejmë dhe të mësojmë nga njëri-tjetri, duke marrë frytet e zhvillimit të qytetërimit njerëzor dhe duke ofruar një referencë të vlefshme për vendet e tjera", u shpreh ai.
"Arroganca" dhe "paragjykimet" e Perëndimit
Banorët zgjedhin anëtarë të Asamblesë Popullore të distriktit,30 nëntor 2021, Hefei(VCG)
Sipas kryediplomatit kinez, ShBA-ja dhe disa vende perëndimore synojnë t’i etiketojnë Kinën dhe disa vende të tjera në zhvillim si "jodemokratike", çka është rezultat i "arrogancës" dhe "paragjykimeve" të Perëndimit ndaj qytetërimeve të tjera.
Ministri Wang vui në dukje se arsyeja e thellë e situatës kaotike dhe e problemeve të shumëllojshme në botën e sotme është që parimi i demokracisë në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk është ndjekur e zbatuar si duhet. Prandaj, ai bëri thirrje për më shumë përpjekje për të promovuar frymën e demokracisë në marrëdhëniet midis vendeve.
Ai kërkoi edhe respektimin e sovranitetit të një vendi dhe mbrojtjen e parimeve thelbësore në marrëdhëniet ndërkombëtare. "Vënia e të drejtave të njeriut mbi sovranitetin dhe imponimi i transformimit demokratik mbi të tjerët nuk ka sjellë stabilitet e as lulëzim, por shkatërrim, civilë të zhvendosur dhe krizë refugjatësh", tha Wang Yi.
Sipas tij, "duhet të mësojmë nga historia, të mbështesim rolin qendror të OKB-së e të Kartës së saj dhe të kundërshtojmë çdo përpjekje për cenimin e sovranitetit dhe ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi tjetër nën petkun e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut".
Deputetë nga pakicat kombëtare në sesionin vjetor legjislativ,8 mars 2021, Pekin(VCG)
Gjithashtu, Wang Yi nënvizoi rëndësinë e solidaritetit dhe të bashkëpunimit në përballimin e sfidave globale si COVID-19, moti ekstrem, terrorizmi, rritja e inflacionit dhe kriza e zinxhirit të furnizimit, duke hedhur poshtë përpjekjet e disa vendeve për të formuar "qarqe të vogla" nën pretekstin e demokracisë.
"Veprime të tilla janë kundër frymës së demokracisë së vërtetë dhe prirjes së kohës", tha ai.(Zhang Yan/Artan)