奥运会---[ào yùn huì]---olimpiadë
Për lojërat dimërore olimpike, posaçërisht për garat e shpejtësive, si skitë, duhet të ketë rregullore të plotë për mjekimin urgjent.
Foto: VCG
Për të garantuar punët mjekësore në lojërat dimërore olimpike, qysh nga viti 2018, mbi 10 spitale të Pekinit dhe provincës Hebei, me personelin e tyre mjekësor, kanë krijuar ekipin e posaçëm për garantimin e shërbimeve mjekësore në Olimpiadën Dimërore 2022. Në këtë “ekip ëndrrash” janë përfshirë specialistë nga degët kryesore të mjekësisë. Në këtë periudhë, këta “engjëj me veshje të bardha” kanë marrë trajnime të posaçme në skitë malore dhe tani janë përgatitur e janë të aftë që të mbërrijnë në çdo pjesë të terrenit sportiv me pajisje mjekësore 15-kilogramëshe.
Përveç mbërritjes së shpejtë, ata duhet të kenë aftësi edhe për mjekim të saktë. Doktoresha Fu Yanzeng nga spitali “Xiyuan” pranë Akademisë së Mjekësisë Kineze thotë që në spital, ajo mund të bëjë mjekim me shpejtësi dhe saktësi, “por në pistën me dëborë puna nuk është e thjeshtë: duhet të heqim dorezat, të gjunjëzohemi ose të shtrihemi dhe duart ngrijnë shumë shpejt.” Ajo thotë që për të bërë më shpejtë mjekimin, ajo ka bërë praktika të pandërprera, derisa të formohet e ashtuquajtura “kujtesë muskulore” dhe tani mund ta mbarojë këtë punë brenda 10 sekondash.
Foto: VCG
Krahas personelit profesional, Federata Ndërkombëtare e Skive, në udhëzimin e punëve mjekësore, ka theksuar konceptin “Ngarko dhe shko”. Sipas këtij koncepti, qëllimi kryesor është dërgimi i të dëmtuarve sa më parë në spital, ndërsa shkalla e mjekimit në terren duhet të përcaktohet nga koha dhe gjendja.
Në krahasim me pajisjet e përkohshme mjekësore në terrenin e garave, spitalet me pajisje dhe personel të mjaftueshëm kanë aftësi më të mëdha për mjekimin e të plagosurve. Prandaj, dërgimi i shpejtë do të garantojë më fort sigurinë e jetës. Për këtë, Yanqing dhe Zhangjiakou, që do të zhvillojnë garat e sporteve të dëborës, kanë bërë plane përkatëse.
Mjeku në pistën C të parkut “Genting Snow”, Wang Tianjun, u shpreh që gjatë testimeve në nëntor dhe dhjetor 2021, zona e garave olimpike e Zhangjiakou-t ka krijuar 14 pika fikse mjekimi dhe 29 pika mjekimi në terren. Krahas kësaj, është krijuar një rrjet mjekimi tokë-ajër dhe për gjendje urgjente, do të vihen në përdorim helikopterë dhe ambulanca të posaçme.
Foto: VCG
Në maj 2021, zona e garave olimpike në Yanqing ka bërë një manovër shpëtimi me helikopter. Në fushën sportive, mjekët kanë bërë trajtimin urgjent, duke kërkuar ndihmë me helikopter. 4 minuta më pas, mbërriti helikopteri, që e çoi të dëmtuarin në pikën e mjekimit që ndodhet në aeroport. Pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore, helikopteri e çoi të dëmtuarin në spitalin olimpik të vendosur në Yanqing.
Tani, Zhangjiakou dhe Yanqing kanë bërë përmirësimin e harduerëve në spitalet përreth fushave olimpike, duke u bërë gati për punët e mjekimit gjatë lojërave.