对话---[duì huà]---dialog
Kryeministri kinez Li Keqiang zhvilloi të hënën dialogun e tryezës së rrumbullakët “1+6” me presidentin e Bankës Botërore, presidenten e FMN-së, sekretaren e përgjithshme të OBT-së, sekretarin e ILO-s, sekretarin e OECD-së dhe kryetarin e FSF-së.
Dialogu u zhvillua me anë të lidhjes me video dhe tema e tij ishte “Nxitja e rritjes së fortë, përfshirëse dhe të vazhdueshme të ekonomisë botërore: Nga mëkëmbja në ristrukturim”.
Li Keqiang-u u shpreh që këtë vit, me mjedisin e ndërlikuar ndërkombëtar dhe presionet e brendshme ekonomike, Kina ka bashkërenduar masat antiepidemike me zhvillimin ekonomik dhe ka bërë përpjekje të vazhdueshme stabilizuese dhe garantuese në 6 drejtime kryesore, posaçërisht në punësim, jetesën e popullit dhe subjektet e tregut, duke forcuar rregullimin e makropolitikave. Kështu, ekonomia kineze ka ruajtur gjendjen e mirë të zhvillimit dhe treguesit kryesorë të saj janë në nivel të arsyeshëm. Kina ka aftësi të kryejë detyrat kryesore të vitit dhe të realizojë një zhvillim të qëndrueshëm.
Li u shpreh që ekonomia kineze është integruar thellësisht me ekonominë botërore dhe porta e saj e hapjes do të hapet gjithnjë e më tej. Kina do të vazhdojë hapjen me nivel të lartë dhe do të ndajë mundësitë e reja të zhvillimit me tërë botën.
Li Keqiang-u vuri në dukje gjithashtu se është e nevojshme të mbrohet me vendosmëri sistemi tregtar shumëpalësh me Organizatën Botërore të Tregtisë si bërthamë dhe të promovohet liberalizimi dhe lehtësimi i tregtisë dhe investimeve. Gjashtë organizatat ndërkombëtare janë të gjitha shtylla të rëndësishme të qeverisjes ekonomike globale dhe forca të rëndësishme për mbështetjen e multilateralizmit dhe tregtisë së lirë. Kina është e gatshme të forcojë komunikimin dhe bashkëpunimin me të gjitha palët për të krijuar së bashku një mjedis të shëndetshëm të favorshëm për rimëkëmbjen e qëndrueshme të ekonomisë botërore.
Drejtuesit e këtyre institucioneve vlerësuan pozitivisht përpjekjet e Kinës për zhvillim të qëndrueshëm, që ka ndikim edhe në përtëritjen e ekonomisë botërore, duke përshëndetur kontributin e rëndësishëm të Kinës për luftën antiepidemike të vendeve në zhvillim.
Sekretari i përgjithshëm i ILO-s, Guy Ryder, tha për mediat para dialogut: “Ne jemi të inkurajuar që kemi parë që në planin e 14-të 5-vjeçar Kina ka theksuar konsumin e brendshëm, rritjen e të ardhurave dhe ribalancimin ekonomik. Në arenën ndërkombëtare, presidenti Xi Jinping ka bërë propozime globale në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Mendoj që kemi përgjegjësi të përbashkët. Lidhur me organizatat ndërkombëtare, duhet të bëjmë përpjekje maksimale për mënyrat efektive, për të arritur rritje globale të bashkërenduar. Kështu mund të përballojmë sfida të shumta.”
Përballë ndikimit të epidemisë dhe rritjes së çekuilibrit në zhvillimin ekonomik midis vendeve, presidentja e FMN-së Kristalina Georgieva tha gjatë takimit me mediat se bashkësia ndërkombëtare duhet të mbështesë vendet në zhvillim, veçanërisht vendet me të ardhura të ulëta, për të arritur rimëkëmbjen. Në këtë drejtim Kina ka luajtur rol aktiv.
“Shumë vende në zhvillim kanë nevojë për komunitetin ndërkombëtar për rimëkëmbjen e tyre, veçanërisht vendet me të ardhura të ulëta. Ne duhet t'i ndihmojmë këto vende të zgjerojnë hapësirën e tyre fiskale dhe t'i ndihmojmë të përballen me trysninë e borxhit. Unë mirëpres njoftimin e kryetarit Xi Jinping se Kina do të japë 10 miliardë dollarë nga të drejtat e posaçme të tërheqjes të FMN-së për vendet afrikane. Unë besoj se ne mund të punojmë së bashku për rritjen ekonomike globale dhe t'u kushtojmë vëmendje të veçantë atyre grupeve që mund të mbeten pas. Kjo është shumë e dobishme,” thotë Georgieva.
Sekretarja e përgjithshme e OBT-së Ngozi Okonjo-Iweala vlerësoi lart arritjet e jashtëzakonshme të Kinës në 20 vjetët e fundit që nga pranimi i saj në OBT dhe shprehu shpresën që Kina të luajë një rol udhëheqës në reformën e OBT-së.
Drejtuesit e institucioneve ekonomike ndërkombëtare pjesëmarrës në dialogun “1+6” shprehën vullnetin e tyre për të forcuar bashkërendimin dhe bashkëpunimin me Kinën për të promovuar së bashku një rritje të fortë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të ekonomisë botërore.