产品---[ chǎn pǐn]---Produkt


Foto nga VCG

“Këtë herë ne fituam më shumë se herën e kaluar. Konsumatorëve kinezë u pëlqejnë qumështi i sojës dhe makaronat tajlandeze, ndërkohë që konsumatorëve tajlandezë u pëlqejnë ushqimet dhe veshjet kineze,” tha me emocion biznesmenia tajlandeze Xin Lili për fitimet në festën e blerjeve në internet të “11 nëntorit” në Kinë. Nëpërmjet një uebsajti të tregtisë elektronike në Azinë Juglindore, rreth 800 mijë marka dhe biznesmenë vendorë morën pjesë në këtë festë, me një vëllim të tregtisë dyfish më shumë se vitin e kaluar. “Një brez, një rrugë” po u sjell popujve të vendeve e rajoneve pjesëmarrëse në këtë nismë më shumë përfitime.

Në simpoziumin e tretë të ndërtimit të “Një brez, një rrugë” të zhvilluar të premten në Pekin, ndër objektivat e zhvillimit të nismës të theksuara nga presidenti kinez Xi Jinping, “sjellja e përfitimeve për jetesën e njerëzve” është një prej tyre. Ky është pikërisht qëllimi fillestar kur Kina paraqiti këtë nismë para 8 vjetëve.

Pas 8 vjetëve, situata ndërkombëtare ka ndryshuar shpejt. A mund të vazhdojë t’u sjellë përfitime popujve të vendeve përgjatë saj “Një brez, një rrugë”? Presidenti Xi Jinping vuri në dukje në simpoziumin se “Një brez, një rrugë” ende gjendet përballë mundësive të rëndësishme, duke i sjellë botës energji zhvillimi.

Në Serbi një uzinë çeliku me histori 100-vjeçare ishte në prag të falimentimit. Në vitin 2016, investimet e një kompanie kineze e shpëtuan. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha: “Kompania kineze ruajti të 5000 vendet e punës të uzinës. Bashkë me partnerët e bashkëpunimit, uzina mund të ofrojë gjithsej 50 mijë vende pune. Për Serbinë, kjo është një sasi e madhe.”

Në simpozium, presidenti Xi Jinping foli disa herë për “zhvillimin e gjelbër” dhe theksoi se Kina do t’i përkrahë vendet në zhvillim të realizojnë zhvillimin e gjelbër me karbon të ulët, duke thelluar bashkëpunimin me to në fushën e mjedisit e të klimës.

Për shembull, në hidrocentralin “Turguson” të Kazakistanit të ndërtuar nga pala kineze, pas vënies në prodhim në korrik të këtij viti, mund të pakësohen çdo vit me 72 mijë tonë lëshimet e dioksidit karbonik. Pak kohë më parë, presidenti kinez Xi Jinpint u shpreh në një konferencë të OKB-së se Kina nuk do të ndërtojë më vepra të reja të prodhimit të energjisë me qymyr jashtë vendit. Kjo është një politikë e rëndësishme në përballim të ndryshimit të klimës. Kina përpiqet të ndërtojë “Një brez, një rrugë” të gjelbër.

Gjatë 8 vjetëve, “Një brez, një rrugë” u ka sjellë palëve të ndryshme përfitime, duke u bërë një produkt publik global i mirëpritur dhe një platformë e zgjerimit të hapjes së Kinës me botën e jashtme. Madje disa media perëndimore që ishin dyshuese për këtë nismë, kanë filluar ta ndryshojnë qëndrimin. Revista javore amerikane “Newsweek” e quajti “Një brez, një rrugë” një nga projektet ekonomike më të suksesshme dhe me ndikim më të madh.

Banka Botërore parashikon se deri në vitin 2030, nisma “Një brez, një rrugë” pritet t’i ndihmojë 7.6 milionë njerëz në mbarë globin të shkëputen nga varfëria ekstreme dhe 32 milionë të tjerë të shkëputen nga varfëria relative. Si sponsore e nismës, Kina po bën përpjekje për të nxitur zhvillimin me cilësi të lartë të këtij produkti publik global. (Fani/Artan)