开放---[kāi fàng]---hapje
Kryeministri kinez Li Keqiang është shprehur se Kina do të zgjerojë në mënyrë të vendosur politikën e saj të hapjes dhe do të krijojë një mjedis biznesi të orientuar nga tregu, në bazë të ligjit dhe në përshtatje me standardet ndërkombëtare.
Li Keqiang-u e bëri këtë koment gjatë pjesëmarrjes në një videodialog të posaçëm me liderët globalë të biznesit, të organizuar nga Forumi Ekonomik Botëror të martën. Afro 400 sipërmarrës nga mbi 40 vende morën pjesë në këtë veprimtari.
Kryeministri i Kinës Li Keqiang/ CGTN
“Ekonomia kineze është integruar thellësisht me atë botërore dhe hapja është politika kombëtare bazë e Kinës,” tha ai, duke premtuar që Kina do të zgjerojë në mënyrë të vendosur hapjen, do të nxitë bashkëpunimin ndërkombëtar në fusha e nivele të ndryshme, do t’i trajtojë në mënyrë të barabartë subjektet e ndryshme të tregut dhe do të mbrojë të drejtat e pronësisë intelektuale sipas ligjit.
Kina, një treg global dhe destinacion i rëndësishëm i investimeve, mirëpret ndërmarrjet nga mbarë bota të bëjnë investime dhe të zhvillojnë biznes këtu, tha Li.
Ai u shprehu falënderime ndërmarrjeve të huaja për përkrahjen e tyre ndaj reformës, hapjes e modernizimit të Kinës, duke theksuar se, me besim dhe këmbëngulje te hapja, gjithëpërfshirja, solidariteti dhe bashkërendimi përballë vështirësive, ekonomia botërore do të ketë një të ardhme të ndritur.
Kreu i qeverisë së Kinës tha se vendi i tij do të hartojë e zbatojë në mënyrë më të fortë masat e pakësimit të taksave e tarifave në një kohë të përshtatshme.
Duke vënë në dukje që rishfaqja e gjendjes epidemike të COVID-19 ka shtuar pasiguritë dhe paqëndrueshmërinë në rimëkëmbjen e ekonomisë globale, kryeministri kinez u shpreh se Kina dëshiron të bashkëpunojë me vendet e tjera për të ruajtur funksionimin e zinxhirit industrial dhe të atij të furnizimit dhe për të lehtësuar më tej tregtinë dhe investimet.
Porti Yangshan i Shangait/ VCG
Lidhur me situatën ekonomike në Kinë, Li Keqiang-u tha se bazat për rritjen e shëndetshme të ekonomisë nuk kanë ndryshuar. “Numri i subjekteve në tregun kinez arriti në 150 milionë, duke krijuar mbi 700 milionë vende pune, dhe kjo është arsyeja e ruajtjes së elasticitetit e të gjallërisë së ekonomisë kineze,” u shpreh ai.
Kryeministri kinez u angazhua për ruajtjen e funksionimit të qëndrueshëm makroekonomik, duke marrë parasysh nevojat e subjekteve të tregut dhe duke zbatuar më shumë masa për uljen e taksave e tarifave në kohë të përshtatshme, që të ndihmohen subjektet e tregut, veçanërisht numri i madh i ndërmarrjeve të mesme e të vogla dhe i mikrondërmarrjeve, të kapërcejnë vështirësitë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi furnizimin me energji, Li tha se kundrejt mungesës së energjisë elektrike dhe të qymyrit kohët e fundit, janë marrë një sërë masash. Mungesa e energjisë është zbutur tani dhe do të sigurohet furnizimi me energji në të ardhmen.
“Në bazë të gjendjes konkrete të vendit tonë, do të nxitim në mënyrë të ekuilibruar dhe të rregullt një kalim drejt lëshimit të ulët të karbonit, duke garantuar një furnizim të qëndrueshëm e të sigurt me energji,” tha Li. (Wang lei/ Artan)