关系---[guān xì]---marrëdhënie
“Në 50 vjetët e ardhshëm gjëja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare është që Kina dhe ShBA-ja të gjejnë mënyrën e duhur të trajtimit të njëra-tjetrës.” Ky mendim i presidentit kinez Xi Jinping, i shprehur gjatë videotakimit midis liderëve të Kinës dhe ShBA-së, ngjalli vëmendjen e madhe të bashkësisë ndërkombëtare.
foto nga VCG
Për këtë takim që zgjati tre orë e gjysmë, liderët e të dyja vendeve janë të mendimit se ishte i sinqertë, konstruktiv, pragmatik dhe frytdhënës, në favor të shtimit të njohjes së ndërsjellë midis dy palëve dhe që lëshoi një sinjal të fortë për të dyja vendet dhe botën.
Aktualisht, marrëdhëniet kino-amerikane ndodhen në udhëkryq. Duke u nisur nga gjykimi i gabuar për strategjinë ndaj Kinës, pala amerikane është orvatur me të gjitha forcat për frenimin e shtypjen e Kinës dhe ka provokuar herë pas here vijën e kuqe të Kinës. Si pasojë, marrëdhëniet kino-amerikane kanë rënë në vështirësi. Në këtë sfond, videotakimi ndërmjet liderëve të të dy vendeve është pa dyshim në ndihmë të shmangies së keqkuptimeve dhe gjykimeve të gabuara dhe të nxitjes së shkëmbimeve e bashkëpunimit.
Problemi zgjidhet vetëm nga shkaktari. Meqenëse pala amerikane mban përgjegjësi për vështirësitë në marrëdhëniet kino-amerikane, zgjidhja e këtyre vështirësive varet nga ndryshimi i njohjes së gabuar ndaj Kinës nga ShBA-ja dhe nga trajtimi i marrëdhënieve me Kinën në mënyrë të drejtë.
Gjatë këtij videotakimi, presidenti Xi Jinping shtjelloi rrugën e zhvillimit të Kinës, si dhe qëllimin strategjik, duke vënë në dukje se në etapën e re, në trajtimin e njëra-tjetrës, Kina dhe ShBA-ja duhet të ngulin këmbë në tre parimet: “respekti i ndërsjellë”, “bashkëjetesa paqësore” dhe “përfitimet e përbashkëta”. Njëkohësisht, të dyja vendet duhet të bëjnë përpjekje në katër aspekte: “drejtimi i bashkësisë ndërkombëtare për përballimin e sfidave të dukshme”, “nxitja e shkëmbimeve në nivele e fusha të ndryshme”, “kontrolli i mosmarrëveshjeve dhe trajtimi i problemeve të ndjeshme në mënyrë konstruktive” dhe “forcimi i bashkërendimit e bashkëpunimit për problemet e mëdha ndërkombëtare e rajonale”.
Mund të shihet se, edhe përpara sfidave më serioze në marrëdhëniet kino-amerikane, pala kineze ka ngulur këmbë në qëndrimin e përgjegjshëm në trajtimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, duke respektuar parimet dhe duke zbatuar planet konkrete. Nga veprimet e palës kineze, pala amerikane duhet të kuptojë thelbin për trajtimin e marrëdhënieve kino-amerikane.
foto nga VCG
Opinioni publik ka vënë re se personalitetet amerikane kanë folur më se një herë për vendosjen e “mbrojtëses” në marrëdhëniet kino-amerikane. Ç’është kjo “mbrojtëse” dhe si duhet të vendoset ajo, kjo nuk duhet të përcaktohet vetëm nga pala amerikane. Duke marrë për shembull çështjen e Tajvanit, problemi më i rëndësishëm e më i ndjeshëm në marrëdhëniet kino-amerikane, presidenti Xi vuri në dukje qartazi në videotakim: “synimi i pavarësisë duke u mbështetur te ShBA-ja” dhe “frenimi i Kinës përmes Tajvanit” janë luajtje me zjarrin. Nëse forcat separatiste për “pavarësinë e Tajvanit” do të provokojnë, apo madje do të shkelin vijën e fundit, “do të detyrohemi të marrim masa të vendosura”. Këto fjalë të presidentit Xi Jinping përcjellin mesazhin shumë të qartë se pala kineze do të mbrojë me vendosmëri sovranitetin, sigurinë dhe interesat e veta të zhvillimit. Pala amerikane duhet t’i trajtojë problemet përkatëse në mënyrë të matur.
Gjatë videotakimit, presidenti amerikan Joe Biden u shpreh se marrëdhëniet kino-amerikane nuk mund “të prishen” dhe ritheksoi se pala amerikane nuk synon ndryshimin e sistemit politik të Kinës, nuk synon t’i kundërvihet Kinës nëpërmjet forcimit të aleancave, nuk dëshiron konflikt me Kinën dhe nuk përkrah “pavarësinë e Tajvanit”. Lidhur me këtë, në një koment të Grupit Mediatik të Kinës thuhet se pala amerikane duhet t’i bindë me veprime konkrete popullin kinez dhe bashkësinë ndërkombëtare. (Wang Lei/ Artan)