经济---[jīng jì]---ekonomi
Sipas të dhënave të publikuara të hënën nga Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës, në tetor ekonomia kombëtare e Kinës funksionoi në përgjithësi në mënyrë të qëndrueshme, vijoi prirjen e rimëkëmbjes dhe vazhdoi të tregojë elasticitet. Lidhur me këto të dhëna, zyrtarët përkatës shprehën optimizëm për zhvillimin e mëtejshëm të qëndrueshëm të ekonomisë kineze, pavarësisht nga disa sfida e rreziqe.
Në një qendër tregtare në provincën Jiangsu të Kinës Lindore,më 9 nëntor 2021/ CFP
Në tetor Kina pati korrje të bollshme të drithërave të vjeshtës. Vëllimi i përgjithshëm i prodhimit të drithërave në mbarë vitin pritet t’i kalojë 650 miliardë kilogramët. Me rimëkëmbjen e industrisë, vlera e shtuar industriale nga ndërmarrjet e mëdha pati një rritje 3.5 për qind në krahasim me tetorin e vjetshëm, ose 0.4 pikë përqindjeje më shumë se në shtatorin e këtij viti. Ndërkohë, vlera e shtuar e prodhimit me teknologji të lartë u shtua 14.7 për qind, duke treguar një prirje pozitive veçanërisht në sektorët e automjeteve me energji të re, të qarqeve të integruara dhe të robotëve industrialë. Sektori i shërbimeve ruajti prirjen e rimëkëmbjes. Në tetor, treguesi kombëtar i prodhimit i sektorit të shërbimeve pati rritje 3.8 për qind, ku treguesi i prodhimit në shërbimet e transmetimit të informacionit, softuerët dhe shërbimet në teknologjinë e informacionit patën rritje prej 14.8 për qind në krahasim me tetorin e kaluar.
Në fushën e konsumit, vëllimi i përgjithshëm i shitjes me pakicë realizoi një rritje prej 4.9 për qind në tetor në krahasim me tetorin e vjetshëm, ose 0.5 pikë përqindjeje më shumë se në shtator. Konsumi u duk më aktiv veçanërisht në pajisjet e telekomunikacionit, në bizhuteri dhe në artikujt e shkrimit.
Kina ruajti gjendjen e qëndrueshme edhe në punësim.
Në tetor, edhe tregtia e jashtme e Kinës ruajti prirjen e rritjes relativisht të shpejtë. Vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit të mallrave u rrit me 17.8 për qind në krahasim me tetorin e vitit të kaluar, ose 2.4 pikë përqindjeje më shumë se në shtatorin e këtij viti. Në dhjetë muajt e parë të këtij viti, vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit të mallrave u shtua 22.2 për qind.
Zëdhënësi i Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës, Fu Linghui, bëri të ditur: “Kina ka ruajtur rritjen relativisht të shpejtë në import-eksportin me partnerët kryesorë. Në 10 muajt e parë të këtij viti, vëllimi i import-eksportit të Kinës me vendet e ASEAN-it, BE-në dhe ShBA-në u shtua përkatësisht mbi 20 për qind, ndërkohë që rritja e vëllimit të import-eksportit me vendet përgjatë ‘Një brez, një rrugë’ arriti 23 për qind. Edhe struktura e tregtisë u përmirësua. Tregtia e zakonshme zuri 61.7 për qind të vëllimit të përgjithshëm të import-eksportit, ndërsa ndërmarrjet private zunë 48.3 për qind të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme.”
Lidhur me gjendjen ekonomike në periudhën e ardhshme të vitit, zyrtari tha se, pavarësisht nga disa rreziqe e sfida, ekonomia kineze funksionon në përgjithësi në mënyrë të qëndrueshme dhe pritet të ruajë prirjen e përmirësimit të cilësisë së zhvillimit, falë zgjerimit të mëtejshëm të konsumit brenda vendit, hapjes së mëtejshme në nivel më të lartë dhe forcimit të hovit të reformës e risive. (Wang Lei/ Artan)