松子---[sōng zǐ]---Farë pishë

Transmetim i drejtpërdrejtë në internet të CMG-së për shitje të farave të pishës afgane

Transmetim i drejtpërdrejtë në internet të CMG-së për shitje të farave të pishës afgane


Në edicionin e katërt të Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE), farat e pishës nga Afganistani u bënë papritur një "yll".

Në një transmetim të drejtpërdrejtë në internet të CMG-së në mbrëmjen e 6 nëntorit, mbi 120 mijë kuti me stika pishe nga Afganistani u shitën brenda disa minutash. Disa blerës lanë mesazhe, si: "Sa mirë që mund të ndihmoj këta njerëz që vuajnë nga lufta!" ose "Bleva fara pishe. Forca Afganistan!"

Sipas njoftimit të CMG-së, një pjesë e këtyre produkteve janë 45 tonë fara pishe që sapo mbërritën në Shangai me avion. Sivjet, pavarësisht prodhimit të bollshëm, për shkak të epidemisë dhe gjendjes së vështirë të brendshme, shitja e farave të pishës në Afganistan ka hasur vështirësi të mëdha. Lidhur me këtë, pala kineze hapi një "korridor të posaçëm ajror" për transportimin e këtyre farave, duke e paraqitur këtë produkt cilësor afgan në ekspozitën e importit “për t'u takuar” me konsumatorët kinezë. "Shitja e shpejtë e 120 mijë kutive të farave të pishës nuk është rastësi, por një ndër rezultatet konkrete të përpjekjeve të Kinës për krijimin e platformës së shitjeve dhe ndarjen e mundësive të tregut të saj me vendet më të pazhvilluara", komenton CMG-ja.

Mbërritëm farat e pishës afgane në Shangai me avion(VCG)

Mbërritëm farat e pishës afgane në Shangai me avion(VCG)

Në sytë e palës kineze, zhvillimi i përbashkët i vendeve të ndryshme është zhvillim i vërtetë. "Ndarja e mundësive" është “gjeni” i ekspozitës së importit të Kinës që prej lindjes së saj. Sivjet, afro 90 ndërmarrje nga 33 vende më të pazhvilluara në botë marrin pjesë në këtë edicion, për të cilat Kina ka ofruar mjaft lehtësi.

Për shembull, disa pjesëmarrës afrikanë për shkak të epidemisë nuk janë në gjendje të marrin pjesë drejtpërdrejt, por ata lejohen të kryejnë biznes, si ekspozimi i produkteve dhe nënshkrimi i kontratave, nëpërmjet agjentëve të tyre në Kinë. Ndërkohë Kina, duke bashkëpunuar me Qendrën Tregtare Ndërkombëtare, një organizatë e krijuar bashkërisht nga OKB-ja dhe OBT-ja, ka hapur zona të posaçme në ekspozitë për produktet bujqësore dhe të konsumit për disa vende të Afrikës dhe Amerikës Latine. Jo vetëm kaq, po organizatorët e ekspozitës, në përgjigje të kërkesave të ndryshme të ndërmarrjeve nga këto vende, kanë zhvilluar një sërë veprimtarish për negociata biznesi, promovimin dhe paraqitjen e ndërmarrjeve përkatëse. Janë krijuar edhe platforma në internet për të kryer të gjitha procedurat e tregtimit në ekspozitë.

Ekspozitë Ndërkombëtare e Importit e Kinës(CIIE)

Ekspozitë Ndërkombëtare e Importit e Kinës(CIIE)

Përballë sfidave globale si epidemia, zhvillimi i paekuilibruar etj., Kina vijon organizimin e ekspozitës së importit, gjë që rithekson angazhimin e saj për ndarjen e mundësive të zhvillimit të vet dhe për të nxitur një globalizim më të hapur, gjithëpërfshirës e të balancuar, me leverdi të gjerë dhe ndarje të përbashkët të rezultateve. Kjo është shumë e rëndësishme për rimëkëmbjen e ekonomisë botërore. Për këtë, sekretarja e përgjithshme e Konferencës së OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD), Rebeca Grynspan, vuri në dukje se 20% e vëllimit të tregtisë së jashtme të vendeve më të pazhvilluara të botës janë me Kinën. "Jam shumë e gëzuar që shoh se CIIE-ja ka pasur kaq shumë sukses në katër vjet të fundit," theksoi znj. Grynspan.

Ditët e fundit, Administrata e Përgjithshme e Doganave e Kinës publikoi të dhëna për tregtinë e jashtme të Kinës në dhjetë muajt e parë të këtij viti, sipas të cilave vëllimi i import-eksportit i Kinës është rritur 31.9 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. "Siç tha presidenti në fjalimin e tij të rastit në ceremoninë e hapjes së këtij edicioni të ekspozitës, vullneti i Kinës për të ndarë me botën mundësitë e veta të zhvillimit nuk do të ndryshojë. Ky është një premtim me veprime konkrete", përfundon komenti i CMG-së.

Punëtorë afganë që merren me përpunimin e farave të pishës

Punëtorë afganë që merren me përpunimin e farave të pishës

(Zhang Yan/Artan)(Foto:CMG,VCG)