大奖---[dà jiǎng]---Çmim

Të mërkurën u zhvillua në Pekin ceremonia e dhënies së çmimeve kombëtare të shkencës dhe të teknologjisë për vitin 2020. 264 projekte, 10 shkencëtarë dhe një organizatë ndërkombëtare ndanë çmimet. Ndër ta, projektuesi 91-vjeçar i aeroplanëve Gu Songfeng dhe fizikani bërthamor 86-vjeçar Wang Dazhong fituan çmimin më të lartë kombëtar të shkencës dhe të teknologjisë. Presidenti kinez Xi Jinping u dha çmimet fituesve.

Risitë janë motori në nxitjen e zhvillimit të Kinës. Në 5 vjetët e kaluar, Kina ka pasur një sërë rezultatesh të mëdha me risitë tekniko-shkencore në fushën e fluturimeve hapësinore me kozmonautë, të eksplorimit në Hënë, të zhytjes së thellë, të komunikimit kuantik etj. Kina është bërë një forcë e spikatur në risitë globale. Në “Treguesin e risive globale për vitin 2020” renditja e Kinës u ngrit shpejt nga vendi i 29-të në vitin 2015 në vendin e 14-të.

Talentet janë baza e zhvillimit. Sot Kina është një vend i madh i burimeve njerëzore me përmasat më të mëdha dhe me kategoritë më të plota në botë. Numri i personelit teknik u shtua nga 55 milionë e 504 mijë në vitin 2010 në 78 milionë e 39 mijë në vitin 2019. Numri i studiuesve në Kinë zë vendin e parë në botë për 8 vjet me radhë. Në vitin 2020, Kina paraqiti 68720 aplikime për patenta ndërkombëtare duke zënë vendin e parë. Njëkohësisht numri i shkencëtarëve kinezë është shtuar shpejt.

Në tetor të vitit 2021, Kina paraqiti strategjinë e krijimit të qendrës botërore të talenteve e të risive. Kjo strategji ka si qëllim jo vetëm zhvillimin tekniko-shkencor të nivelit të lartë të vendit, por edhe nxitjen e përparimit të përbashkët të njerëzimit. Për të arritur këtë objektiv, Kina ka filluar ndërtimin e bazave të talenteve në qytete të mëdha, të laboratorëve shtetërorë dhe të institucioneve të reja studimore. Sipas të dhënave të publikuara ditët e fundit nga Drejtoria Kombëtare e Statistikave e Kinës, në vitin 2020, treguesi i risive i Kinës arriti në 242.6, duke u shtuar 6.4% në krahasim me vitin 2019.

Shkenca nuk ka kufij dhe Kina i përmbahet hapjes me botën e jashtme në fushën e risive tekniko-shkencore. Për shembull këtë vit, të gjitha çmimet kombëtare kineze të shkencës e të teknologjisë ishin të hapura edhe ndaj shkencëtarëve të huaj dhe si rezultat, 5 projekte nën drejtimin e shkencëtarëve të huaj ose me pjesëmarrjen e shkencëtarëve të huaj fituan çmime. Shkëmbimet e bashkëpunimi tekniko-shkencor mes shkencëtarëve kinezë e të huaj kanë pasur rezultate frytdhënëse.

Është për t’u theksuar se këtë vit, ekipi i parandalimit dhe i kontrollit të sëmundjeve të frymëmarrjes i drejtuar nga akademiku Zhong Nanshan fitoi çmimin kombëtar të ekipit të risive tekniko-shkencore për vitin 2020. Në luftën kundër pandemisë, ky grup i përmbahet qëndrimit shkencor duke i dhënë përparësi jetës dhe ka shpëtuar shumë pacientë, ndërsa rezultatet studimore të tij kanë luajtur një rol të rëndësishëm në parandalimin dhe kontrollin global të sëmundjeve të frymëmarrjes. (Fani)