沟通---[hé píng]---Komunikim

Në orën 9:10 të mëngjesit të 26 tetorit, në uebsajtin e Ministrisë së Tregtisë u publikua një lajm i ri:

"Në paraditen e 26 tetorit, zv.kryeministri kinez dhe drejtuesi i palës kineze në dialogun e gjithanshëm ekonomik kino-amerikan Liu He zhvilloi një bisedë nëpërmjet videos me sekretaren e Thesarit të ShBA-së, Janet Yellen. Të dy palët patën një komunikim praktik, të sinqertë dhe konstruktiv mbi gjendjen makroekonomike dhe bashkëpunimin shumëpalësh. Të dy palët janë të mendimit se ringjallja ekonomike botërore ndodhet në një moment kyç, prandaj komunikimi e bashkërendimi i makropolitikave ndërmjet Kinës e ShBA-së po bëhen shumë të rëndësishëm. Pala kineze shprehu kërkesat mbi anulimin e tarifave dhe sanksioneve amerikane, trajtimin e barabartë të ndërmarrjeve kineze etj. Të dy palët pranuan ruajtjen e komunikimit në vazhdim."

Ky është komunikimi i dytë pas afro gjysmë muaji mes Liu He-së dhe Janet Yellen-it. Delegacionet ekonomiko-tregtare të Kinës dhe të ShBA-së po vënë në zbatim pozitivisht frymën e dialogut të 10 shtatorit të krerëve të shtetit të Kinës dhe ShBA-së.

Në këtë bisedë kishte dy ndryshime.

Së pari, ndryshimi delikat në fjalët dhe tonin.

Në krahasim me lajmin mbi komunikimet në maj dhe qershor, në dy komunikimet e fundit fjalët "komunikim i sinqertë, praktik dhe konstruktiv" janë zëvendësuar me "komunikim praktik, i sinqertë dhe konstruktiv".

Mos nënvlerësoni këtë ndryshim të rendit. "Praktik" është fjala kyçe për të kuptuar komunikimin ekonomiko-tregtar kino-amerikan.

Ky ndryshim mund të pasqyrojë përparimin e dialogut dypalësh në fusha më të thella dhe më konkrete, pas rifillimit të shkëmbimeve mes delegacioneve ekonomiko-tregtare kino-amerikane.

Në njoftimet mbi dy komunikimet e fundit, janë përmendur hollësisht "marrëveshja ekonomiko-tregtare kino-amerikane", "anulimi i tarifave dhe sanksioneve", "trajtimi i barabartë i ndërmarrjeve kineze" etj., të cilat pasqyrojnë këtë karakteristikë.

Përveç kësaj, "komunikimi dhe bashkërendimi i makropolitikave" janë përmendur përsëri.

Në komunikimin dypalësh në qershor, janë përdorur fjalët: "Të dy palët janë të mendimit se marrëdhëniet ekonomike kino-amerikane janë shumë të rëndësishme", ndërsa këtë herë: "Të dy palët janë të mendimit se ringjallja ekonomike botërore ndodhet në një moment kyç, prandaj komunikimi e bashkërendimi i makropolitikave ndërmjet Kinës e ShBA-së po bëhen shumë të rëndësishëm."

Herën e kaluar, më 25 gusht të vitit 2020, Kina dhe ShBA-ja folën për "bashkërendim të makropolitikave ndërmjet Kinës e ShBA-së".

Kjo shprehje e përmendur përsëri pas një viti, jo vetëm tregon se komunikimi ekonomiko-tregtar praktik mund të nxitë kthimin e marrëdhënieve kino-amerikane në rrugën e duhur, por edhe pasqyron situatën serioze të ringjalljes së ekonomisë botërore.

Më 12 tetor FMN-ja parashikoi një rritje të ekonomisë botërore prej 5.9 %, me një ulje 0.1 pikë përqindjeje në krahasim me parashikimin e korrikut.

Tani epidemia e COVID-19 ende po përhapet, duke ndikuar seriozisht në procesin e ringjalljes ekonomike botërore. Tani është periudha kyçe e ringjalljes ekonomike. Bashkëpunimi kino-amerikan do t'u sjellë përfitime të dy vendeve dhe botës, ndërsa kundërvënia do të ketë ndikime negative mbi dy vendet dhe botën.

Sigurisht Kina dhe ShBA-ja kanë divergjenca në fushën ekonomiko-tregtare dhe kanë opinione të ndryshme për shumë probleme.

Por formimi i mendimeve unanime për trajtimin e konflikteve dhe gjetja e metodave për zgjidhjen e divergjencave janë më të rëndësishme.

Dy raundet e komunikimeve ekonomiko-tregtare kino-amerikane në këtë vit tregojnë se nxitja e komunikimit me qëndrim praktik është mënyra efektive për zgjidhjen e problemeve. (Xu Guang)