会议---[huì yì]---takim
Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi të mërkurën një videotakim me kancelaren gjermane Angela Merkel. Gjatë takimit, ata rishikuan zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Gjermani e Kinë-BE dhe shkëmbyen thellësisht mendime mbi çështjet përkatëse.
Merkeli do të përfundojë mandatin e saj si kancelare e Gjermanisë sapo të formohet një qeveri e re gjermane.
Duke e quajtur Merkelin si një mike të vjetër të popullit kinez, Xi vlerësoi kontributin e saj për marrëdhëniet Kinë-Gjermani dhe Kinë-BE.
Ai tha se ka shkëmbyer shumë herë mendime të thella me kancelaren Merkel mbi marrëdhëniet dypalëshe, çështjet kryesore ndërkombëtare e rajonale dhe eksperiencat qeverisëse, duke çuar përpara marrëdhëniet dhe bashkëpunimin dypalësh.
Xi shtoi që, në bazë të frymës së bashkëpunimit, Kina dhe Gjermania kanë arritur një gjendje me përfitime të ndërsjella, duke shfrytëzuar përplotësimin ekonomik mes të dy vendeve.
Krahas kësaj, Xi theksoi që Kina dhe Gjermania duhet të ndjekin parimin e synimit të interesave të ndërsjella dhe përfitimeve të përbashkëta dhe të shmangies së “lojës ku fituesi merr gjithçka”.
Teksa viti i ardhshëm do të jetë 50-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Gjermanisë, Xi tha se është e rëndësishme që të ruhet drejtimi i duhur i marrëdhënieve dypalëshe.
Ai theksoi që Kina i ka parë gjithmonë marrëdhëniet e saj me Gjermaninë nga ana strategjike dhe largpamëse. Pala kineze është e gatshme të ruajë kontaktet e nivelit të lartë me palën gjermane dhe të promovojë njohjen e ndërsjellë dhe miqësinë mes dy popujve.
Kreu i shtetit i Kinës bëri thirrje që të dy palët të eksplorojnë më thellësisht potencialin e bashkëpunimit në fushat tradicionale, si edhe në fushat e reja, si transformimi i energjisë dhe ekonomia e gjelbër e digjitale.
Duke pasur parasysh që Kina dhe Evropa mbështesin multilateralizmin, liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë e investimeve dhe se interesat e përbashkëta të Kinës dhe Evropës i tejkalojnë kontradiktat dhe dallimet, Xi vuri në dukje se paqja dhe zhvillimi janë një vizion i përbashkët për të dyja palët.
Tani lufta globale kundër COVID-19 dhe mëkëmbja ekonomike globale janë në një periudhë kritike. Presidenti Xi vuri në dukje që Kina dhe Europa, si dy forca kyçe globale, kanë përgjegjësi të shtojnë bashkëpunimin dhe unitetin në përballimin e problemeve globale dhe të paqëndrueshmërisë dhe paqartësisë së gjendjes në botë.
Xi u bëri thirrje të dy palëve t’i shikojnë marrëdhëniet mes tyre nga një perspektivë më e gjerë, ta kuptojnë njëra-tjetrën në mënyrë objektive e të gjithanshme dhe të trajtojnë diferencat e mosmarrëveshjet në mënyrë racionale, konstruktive dhe gjakftohtë. Ai e nxiti gjithashtu BE-në të bëjë gjykim të pavarur dhe të realizojë autonominë strategjike.
Nga ana e saj, kancelarja Angela Merkel vuri në dukje që ajo gjithmonë ka mbështetur zhvillimin nga BE-ja të marrëdhënieve me Kinën në mënyrë të pavarur e autonome dhe se të dyja palët duhet të shtojnë dialogun dhe shkëmbimin e mendimeve për çështjet ku ka diferenca dhe mosmarrëveshje.
Ajo shprehu besimin që marrëdhëniet BE-Kinë mund të vazhdojnë të zhvillohen, edhe pse ekzistojnë faktorë të ndërlikuar, duke shtuar që do të vazhdojë të bëjë përpjekje aktive për shtimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit Gjermani-Kinë dhe Europë-Kinë.
Merkeli vlerësoi edhe përpjekjet e Kinës për përballimin e ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjen e diversitetit biologjik.
Ajo theksoi që dy palët duhet të ngulin këmbë në multilaterizmin për të përballuar sfidat globale.