生态---[shēng tài]—ekologji
Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping mori pjesë të martën nëpërmjet videolidhjes në samitin e 15-të të liderëve të Palëve Nënshkruese të Konventës së Diversitetit Biologjik (COP15), duke mbajtur fjalimin e rastit.
Në fjalimin e tij, Xi shtjelloi një sërë çështjesh kryesore, si ajo se çfarë shtëpie Tokë duhet të ndërtohet dhe çfarë do të bëjë Kina, duke treguar drejtimin për ndërtimin e bashkësisë së jetës së përbashkët në Tokë, duke kontribuuar mençurinë e forcën kineze dhe duke treguar përgjegjësinë e një fuqie të madhe.
Diversiteti biologjik është baza e mbijetesës dhe zhvillimit të njerëzimit, po sistemi i tanishëm ekologjik në botë është futur në një zonë të rrezikshme. Në një raport të OKB-së vihet në dukje që diversiteti biologjik po humbet me një ritëm si kurrë më parë. Për këtë arsye, “si të ndërtohet bashkësia e jetës së përbashkët në Tokë” është një pyetje që duhet medoemos të gjejë përgjigje.
Në këtë konferencë globale bota ka dëgjuar përgjigjen kineze: të ndërtohet një shtëpi Tokë ku njeriu të jetojë në harmoni me natyrën, ku mjedisi dhe ekonomia të përparojnë së bashku dhe ku vendet e botës të arrijnë zhvillimin e përbashkët. Për të arritur këtë objektiv, kryetari Xi propozoi që të koordinohen marrëdhëniet mes njeriut dhe natyrës, të mbështetet zhvillimi i vazhdueshëm global, të nxitet barazia e drejtësia shoqërore dhe të ruhet sistemi i barabartë dhe i arsyeshëm i qeverisjes globale.
Mund të shohim që në këto katër propozime janë përfshirë objektivat, metodat, si dhe rregullat praktike, duke pasur në fokus zhvillimin e ardhshëm të njerëzimit. Këto propozime janë mençuri e bazuar në vetë eksperiencat e Kinës në këtë drejtim dhe tregojnë një rrugë për vendet e botës që të ndërtojnë bashkësinë e jetës së përbashkët në Tokë.
Kryetari Xi në fjalimin e tij ka përmendur edhe lëvizjen e elefantëve në Yunnan të Kinës Jugperëndimore. Ky është një shembull tipik për arritjet e frytshme të Kinës në mbrojtjen e diversitetit biologjik. Në Kinë mbrojtja e diversitetit biologjik është ngritur në nivelin e strategjisë kombëtare. Në 10 vitet e fundit, sipërfaqja e burimeve pyjore është rritur me mbi 70 milionë hektarë dhe renditet në vendin e parë të botës. Krahas kësaj, Kina ka propozuar dhe ka ndërtuar sistemin e linjës së kuqe për mbrojtjen ekologjike, i cili është përfshirë në 15 shembujt klasikë të OKB-së.
Lidhur me përparimin e bashkërenduar të ekonomisë dhe mjedisit, lideri kinez ka dhënë një zgjidhje për shndërrimin e epërsisë ekologjike në përfitime ekonomike. Kjo ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe për mëkëmbjen ekonomike pas shpërthimit të pandemisë.
Në këtë samit kryetari Xi Jinping shpalli që Kina do të ofrojë 1.5 miliardë juanë për krijimin e Fondacionit të Diversitetit Biologjik të Kunming-ut, me synim për të mbështetur mbrojtjen e diversitetit biologjik në vendet në zhvillim. Krahas kësaj, do të publikohen planet e zbatimit dhe një sërë masash garantuese për të ndërtuar sistemin “1+N”, me synim arritjen e kulmit të lëshimit të karbonit dhe të asnjanësimit të karbonit sipas afateve të përcaktuara.
Këto masa të reja tregojnë se Kina po lëviz vazhdimisht drejt objektivit të ndërtimit të një vendi të bukur me veprime praktike, duke i shtuar hovin promovimit të zhvillimit të qëndrueshëm global. Sekretarja ekzekutive e Sekretariatit të OKB-së për Konventën e Diversitetit Biologjik, Elizabeth Mrema, vlerëson se “punët e Kinës në dhjetëra vitet e kaluara përfaqësojnë modelin për reformat tona”.
“Nëse njeriu mbron mjedisin, edhe mjedisi do të mbrojë njeriun. Qytetërimi ekologjik është prirja historike e zhvillimit të qytetërimit njerëzor.” Këto fjalë nga kryetari Xi Jinping kanë treguar thelbin e konceptit për ndërtimin e bashkësisë së jetës së përbashkët në Tokë. Si pjesëmarrëse, kontribuuese dhe udhëheqëse në ndërtimin e qytetërimit ekologjik global, Kina do ta shfrytëzojë këtë rast për të nxitur palët të nënshkruajnë “Kornizën e Diversitetit Biologjik pas vitit 2020” dhe do të japë kontributin kinez për ndërtimin e bashkësisë së jetës së përbashkët në Tokë. (Jiang Lei)