电影—[diàn yǐng]—film

“Pishtari në zemrën time” është një film i shkurtër i animuar, që ofron një këndshikim në historinë e Kinës. Edhe pse ky film 7-minutësh fokusohet te një familje, ai tregon një nga historitë e shumta që kanë formësuar sistemin shoqëror dhe mjekësor të Kinës gjatë shekullit të kaluar.

Filmi, i bazuar në një histori të vërtetë, përshkruan sakrificat e tre breza mjekesh, që ishin monumentale për zhvillimin e obstetrikës dhe gjinekologjisë në Kinë. Filmi është fokusuar te Qin Jisheng, vajza e saj Liao Qinping dhe mbesa Lyu Tao. Të gjitha ato u diplomuan në Universitetin e Pekinit dhe u bënë mjeke, duke zgjedhur të shkonin në zonat kufitare për të trajtuar pacientët. Kjo është një histori dashurie, vullneti, këmbënguljeje dhe trashëgimie.

Filmi fillon duke treguar Qin Jisheng-un në rini që shkon me kalë në një natë me dëborë për të shpëtuar një pacient. Kjo ishte vetëm një nga punët e shumta në karrierën e Qin-it që filloi në vitet ’50 të shekullit të kaluar. Ishte një periudhë me mungesë të burimeve mjekësore dhe përparësia kryesore e Qin-it ishte që të shpëtonte gratë shtatzëna dhe foshnjat e tyre. Ishte një mision që zgjati tërë jetën e saj, si një luftëtare që përpiqej pa u lodhur për banorët në zonat kufitare. Kontributi i saj i ka dhënë Qin Jisheng-ut çmimin “Lin Qiaozhi”, nderimi më i lartë kombëtar në sektorin e obstetrikës dhe gjinekologjisë.

Bija e Qin-it, Liao, trashëgoi vullnetin e nënës. Liao mori vendim që të përmirësojë shëndetin e grave në Kinë dhe ia ka kushtuar tërë karrierën e saj luftës ndaj tumoreve gjinekologjike. Ashtu si nëna e saj, edhe Liao fitoi çmimin “Lin Qiaozhi”. Dhe tani Lyu, mbesa e Qin-it, po vazhdon në gjurmët e nënës dhe gjyshes. Ajo e ka kaluar tërë karrierën e saj në përmirësimin e jetës së grave dhe të vajzave në Kinë.

"Pishtari në zemrën time" është historia e tre brezave të grave kineze. Tre brezat me të njëjtin gjak, nga i njëjti universitet, dhe që filluan të njëjtën karrierë për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve. Tre breza që kanë ndihmuar zonat kufitare dhe kanë ruajtur jetën dhe shëndetin e njerëzve që jetojnë atje. Tre breza që kanë qenë dëshmitarë të zhvillimit të Kinës gjatë afro një shekulli.

Mënyra se si është krijuar filmi i mundëson shikuesit ta kuptojë këtë histori. Krahas shkencës dhe mjekësisë, vlen të përmendet që të tre mjeket janë gra, gjë që demonstron rëndësinë e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave në Kinë. Për më tepër, secila nga historitë e tyre zhvillohet në rajone të largëta kufitare të Kinës, të tilla si Mongolia e Brendshme, prefekturat autonome tibetiane dhe qiang Aba dhe Rajoni Autonom i Tibetit, gjë që tregon sipërfaqen e madhe të Kinës, si dhe diversitetin e saj. Por më e rëndësishmja është se si të gjithë janë lidhur për të formuar një vend nëpërmjet solidaritetit dhe përpjekjeve të përbashkëta.

Edhe pse është vetëm 7 minuta, prodhimi i këtij filmi ka harxhuar shumë kohë dhe burime. Ekipi realizues vizitoi shumë krahina në Kinë, për të hulumtuar dhe kryer intervista. Kur më në fund vendosi të rrëfejë historinë e familjes së Qin Jisheng-ut, ekipi realizoi intervista të thella me Liao Qinping-un. Versioni përfundimtar i filmit ishte produkt i 16 projekteve të ndryshme të skenarëve, secili me jo më pak se 10 stile të ndryshme të veprave të artit të skicuar dhe më shumë se 100 skena të vizatuara me dorë. Për të siguruar saktësinë e çdo hollësie në film, ekipi shqyrtoi sasi të mëdha të të dhënave që përfshijnë disa dekada. Çdo element përbërës i filmit u hulumtua dhe u mblodh me saktësi.

Kjo histori e vërtetë e një familjeje mjekesh dhe pjesa e saj në historinë e Kinës është dhënë artistikisht në gjuhën kineze dhe angleze. Filmi paraqitet nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës, është prodhuar nga “SHIZHI media.co-produce” dhe është shpërndarë nga “China Story”, “CPC WORKS”, “Visual China Group” dhe “YoyWowCommunications”.