生态---[shēng tài]—ekologji
Dy muaj më parë, një grup elefantësh aziatikë në Kinë u kthyen më në fund në shtëpinë e tyre pas një aventure 17-mujore, çka tërhoqi vëmendje globale.
Por diskutimet mbi qytetërimin ekologjik vazhdojnë dhe interesi i publikut për çështje të tilla tregon që gjithnjë e më shumë vëmendje po kushtohet në këtë drejtim.
Përpjekjet e autoriteteve për shoqërimin e elefantëve në shtëpi i tregojnë botës që Kina po bëhet një pjesëmarrëse, kontribuuese dhe udhëheqëse e rëndësishme në nxitjen e përparimit ekologjik global.
Përdorimi i dronave, kufizimi i trafikut, dërgimi i ekipit të posaçëm... të gjitha masat nga autoritetet vendore tregojnë durimin dhe përkujdesjen e popullit kinez për këta elefantë.
Këto përpjekje të Kinës për mbrojtjen e biodiversitetit janë pjesë e planit të Kinës në promovimin e qytetërimit ekologjik global.
Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe një ekonomi me vlerë prej triliona dollarësh me rritjen më të shpejtë. Për këtë arsye, arritjet e saj brenda vendit pa dyshim do të kontribuojnë në përpjekjet globale. Për shembull, në 10 vjetët e fundit, burimet pyjore të Kinës u rritën me mbi 70 milionë hektarë, duke u renditur në vendin e parë në botë.
Ndërkohë, në arenën botërore, Kina është ndër vendet e para nënshkruese të Konventës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në arritjen e Protokollit të Kiotos dhe Marrëveshjes së Parisit.
Kina ishte gjithashtu ndër të parat që nënshkroi dhe ratifikoi Konventën për Diversitetin Biologjik dhe ka përmbushur detyrimet e përcaktuara në këtë konventë.
Vlen të përmendet se në vitin 2013, Kina propozoi nismën “Një brez, një rrugë” me synim ndërtimin e një rrjeti tregtar dhe infrastrukturor që lidh Azinë me Evropën, Afrikën dhe më gjerë, dhe tani ajo ka nisur një udhëtim të zhvillimit të gjelbër dhe të qëndrueshëm.
Investimet në energjitë e rinovueshme, si energjia diellore, e erës dhe ujore, tani përbëjnë shumicën e investimeve kineze jashtë vendit në fushën e energjetikës, duke u rritur nga 38 % në vitin 2019 në 57 % vitin e kaluar, treguan të dhënat nga Qendra për “Një brez, një rrugë” të Gjelbër, një grup studimor me seli në Pekin.
Përpjekjet e Kinës për zhvillimin e gjelbër janë njohur nga komuniteti ndërkombëtar.
Në shkurt 2013, Programi i OKB-së për Mjedisin (UNEP) mori vendim të promovojë filozofinë e Kinës në përparimin ekologjik, duke publikuar dy vjet më pas një raport mbi strategjitë dhe praktikat e Kinës në këtë drejtim.
Në vitin 2014, UNEP-i e njohu ishullin Chongming në Shanghai të Kinës Lindore si një model të rekomanduar të zhvillimit ekonomik të gjelbër dhe në një raport të vetin përshëndeti vlerat thelbësore të ekozhvillimit të Chongmingut si reflektim i vizionit të UNEP-it për ekonominë e gjelbër.
Chongming mund të shërbejë si "një zonë ideale ekologjike demonstruese në Shanghai, dhe si një rajon i veçantë i fokusuar në qytetërimin ekologjik për të shërbyer si një model botëror", thuhet në këtë raport.
Komuniteti Saihanba në provincën Hebei ka marrë çmimin “Kampion i Tokës”, nderi më i lartë nga OKB-ja, pasi ka transformuar një krahinë të humbur ekologjike në një parajsë të gjelbër.
Sistemi i kryetarëve të lumenjve i Kinës, i cili filloi në dhjetor 2016, është një shembull tjetër. Xia Zehan, një përfaqësues në Zyrën e UNESCO-së në Kinë, tha se kjo pasqyron karakteristikat kineze në ruajtjen e biodiversitetit, rigjallërimit rural dhe menaxhimit kompleks të lumenjve.
Duke caktuar për çdo lumë në vend një kujdestar të posaçëm, që njihet si "kryetar lumi", ky sistem është efektiv në luftimin e ndotjes së ujërave dhe forcimin e menaxhimit të ujit.
Në fakt, ka ende shumë histori për t'u shkruar mbi përvojat dhe zgjidhjet e Kinës lidhur me promovimin e qytetërimit ekologjik global. Kina u ka bërë thirrje të gjitha vendeve që të arrijnë një rimëkëmbje të gjelbër të ekonomisë botërore në periudhën pas epidemisë së COVID19.
Konferenca e 15-të e Palëve (COP15) të Konventës mbi Diversitetin Biologjik e sivjetme është mundësia e ardhshme.
MPJ-ja kineze bëri të ditur që, si vend pritës i COP15, Kina është e gatshme të punojë së bashku me vendet e tjera, për një kornizë ambicioze, të balancuar dhe realiste dhe një botë të pastër e të bukur që lulëzohet me jetë.
Sipas MPJ-së, këtë të martë, presidenti kinez Xi Jinping do të mbajë një videofjalim në samitin e liderëve në kuadër të konferencës COP15, e cila do të zhvillohet në Kunming të Kinës Jugperëndimore.(Jiang Lei)