统一---[tǒng yī]---ribashkim
"Misioni historik i ribashkimit të plotë të atdheut mund të realizohet dhe do të realizohet patjetër!" Kështu u shpreh kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping të shtunën, në konferencën për 110-vjetorin e Revolucionit të 1911-s. Kjo shprehje shfaq vendosmërinë dhe vullnetin e fortë të Kinës për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar dhe të tërësisë territoriale.
Realizimi i bashkimit të plotë të atdheut është interesi thelbësor i kombit kinez dhe detyra e papërfunduar e Revolucionit të 1911-s. Para 110 vjetësh, pionierët e revolucionit, të përfaqësuar nga Sun Jat Seni, nisën Revolucionin e 1911-s, duke i dhënë fund sistemit mbi 2-mijëvjeçar të monarkisë autokratike të Kinës dhe duke themeluar republikën e parë në Azi. Por, për shkak të kufizimeve të procesit historik dhe kushteve shoqërore, Revolucionit i 1911-s nuk realizoi misionin historik të pavarësisë kombëtare dhe çlirimit të popullit, duke mos zgjidhur problemin e bashkimit të atdheut.
Si trashëgimtare e vullnetit të pionierëve të Revolucionit të vitit 1911, Partia Komuniste e Kinës bashkoi popullin kinez dhe realizoi pavarësinë kombëtare e çlirimin popullor, duke krijuar mrekullitë e zhvillimit të shpejtë ekonomik dhe të qëndrueshmërisë afatgjatë shoqërore. Zgjidhja e problemit të Tajvanit dhe realizimi i bashkimit të plotë të atdheut janë misioni historik i Partisë Komuniste të Kinës.
Për njerëzit në të dy brigjet e ngushticës, realizimi i bashkimit të atdheut në mënyrë paqësore përputhet me interesat e përgjithshme të kombit kinez, duke përfshirë banorët e Tajvanit. Por forcat e "pavarësisë së Tajvanit" shkelin në mënyrë të hapur parimin e “Një Kine” dhe Konsensusin e vitit 1992, dhe minojnë me qëllim procesin e ribashkimit paqësor të dy brigjeve. Autoritetet aktuale të Tajvanit kanë bërë provokime të pandërprera për të dëmtuar sovranitetin kombëtar dhe tërësinë territoriale të Kinës.
Forcat përçarëse të "pavarësisë së Tajvanit" janë pengesat më të mëdha të bashkimit të Kinës dhe rreziqet e fshehura serioze të rilindjes së kombit kinez, që duhet të frenohen me vendosmëri. Kina nuk premton heqjen dorë nga përdorimi i forcës dhe ruan të drejtën e marrjes së të gjitha masave të nevojshme kundër ndërhyrjes së forcave të jashtme dhe aktiviteteve përçarëse të forcave të "pavarësisë së Tajvanit". Kina e mban gjithmonë fjalën. Askush nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë, vullnetin dhe aftësinë e popullit kinez për ruajtjen e sovranitetit kombëtar dhe tërësisë territoriale të tij.
Në botë ekziston vetëm një Kinë dhe Tajvani është pjesë e pandashme e territorit kinez. Ky është konsensusi i përgjithshëm i komunitetit ndërkombëtar. Qarqet e jashtme i kushtuan vëmendje të madhe takimit të përfaqësuesve të lartë të Kinës dhe të ShBA-së në Zyrih të Zvicrës, ku pala kineze i kërkoi në mënyrë të qartë palës amerikane që të ndalojë ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës nëpërmjet çështjeve të Tajvanit etj. Pala amerikane shprehu këmbënguljen për politikën e “Një Kine”. ShBA-ja duhet të zbatojë premtimet e saj, të ndalojë lëshimin e sinjaleve të gabuara ndaj forcave përçarëse të "Pavarësisë së Tajvanit" dhe të ndalojë krijimin e tensioneve të rrezikshme në ngushticën e Tajvanit.(Xu Guang)