傲慢---[ào màn]---Arrogancë
Komiteti i Tretë i Asamblesë të Përgjithshme të 76-të të OKB-së vazhdoi debatin e përgjithshëm të hënën. Në përgjigje të deklaratave të rreme dhe sulmeve mbi çështjet e lidhura me Xinjiang-un, Hong-Kongun dhe Tibetin nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera, Zhang Jun, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, i hodhi poshtë ato, duke theksuar kundërshtimin e fortë të Kinës ndaj abuzimit të disa vendeve që shfrytëzojnë platformën e Kombeve të Bashkuara për të provokuar qëllimisht kundërvënie dhe për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës me pretekstin e të drejtave të njeriut. Ai paralajmëroi Shtetet e Bashkuara që të lënë mënjanë arrogancën e paragjykimet sa më shpejt të jetë e mundur dhe të mos shkojnë më tej e më poshtë në rrugën e gabuar.
foto nga VCG
Zhang Jun tha se Shtetet e Bashkuara kanë bërë një krim të motivuar politikisht, kanë trilluar gënjeshtra dhe kanë bërë akuza të paarsyeshme kundër Kinës. I ashtuquajturi "gjenocid" në Xinjiang është "gënjeshtra e shekullit", e sajuar me keqdashje nga administrata e mëparshme e Shteteve të Bashkuara. Fakte të panumërta të forta kanë vërtetuar se pretendimi i ShBA-së është krejtësisht pa baza dhe thjesht i motivuar politikisht. Qëllimi themelor është të dëmtojë Kinën dhe të pengojë zhvillimin e saj. Kina e kundërshton me vendosmëri dhe e kundërshton plotësisht këtë.
Përfaqësuesi kinez vuri në dukje se ajo që duhet t'i kushtojë vëmendje komuniteti ndërkombëtar është situata e të drejtave të njeriut në Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara shpërfillin në mënyrë përzgjedhëse historinë e gjakut dhe lotëve të indianëve të Amerikës dhe historinë e shfrytëzimit të skllevërve, në përpjekje për të varrosur të kaluarën e errët historike. Në Shtetet e Bashkuara, prirjet ekstreme të mendimit, si epërsia e të bardhëve, diskriminimi kundër afro-amerikanëve, urrejtja ndaj aziatikëve dhe islamofobia vazhdojnë të përhapen, duke shkaktuar tragjedi të panumërta.
foto nga VCG
Zhang Jun theksoi se Shtetet e Bashkuara shpesh e konsiderojnë veten si "mbrojtëse" të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, por në fakt janë shkatërrueset më të mëdha të tyre. Me vetëm një shishe detergjent për larjen e rrobave dhe një informacion të rremë, Shtetet e Bashkuara kanë filluar në mënyrë arbitrare luftëra, kanë masakruar civilë dhe ka hedhur bomba mbi gratë, fëmijët dhe grupet e pafajshme, duke bërë që njerëzit të zhvendosen nga shtëpitë e tyre dhe të jenë të pastrehë. Nën maskën e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, Shtetet e Bashkuara abuzojnë me sanksionet e njëanshme, shtypin kompanitë e huaja, minojnë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar ndërkombëtar, dëmtojnë të drejtat dhe interesat e vendeve në zhvillim, vazhdojnë të shkelin sistematikisht të drejtat themelore të njeriut në vendet përkatëse dhe krijojnë artificialisht katastrofa humanitare.
Zhang vuri në dukje që, nëse Shtetet e Bashkuara kujdesen vërtet për çështjet e të drejtave të njeriut, duhet të braktisin standardet e dyfishta. “Pse të mos u hedhin një sy eshtrave të fëmijëve aborigjenë në një shkollë me konvikt kanadeze? Pse të mos u kërkojnë përgjegjësi ushtarëve të vendeve aleate për vrasjen pa dallim të civilëve afganë?” pyeti ai.
Zhang Jun theksoi se bota ka nevojë për dialog në vend të konfrontimit dhe vendet duhet të zgjedhin bashkëpunimin në vend që të krijojnë ndarje. “Ne i paralajmërojmë Shtetet e Bashkuara dhe pasuesit e tyre që të lënë mënjanë arrogancën e paragjykimet sa më shpejt të jetë e mundur dhe të mos shkojnë në rrugën e gabuar! Shpresoj se Shtetet e Bashkuara do të dinë të kthehen në rrugën e duhur të dialogut e bashkëpunimit dhe të bëjnë diçka praktike për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut!”tha ai. (Vera/Artan)