和平---[hé píng]---Paqe
Si udhëheqësi i fundit i Republikës Demokratike të Gjermanisë (RDGj), Egon Krenz, ish-sekretar i përgjithshëm i Partisë së Bashkimit Socialist të Gjermanisë dhe kryetar i Këshillit të Shtetit të RDGj-së, ka ndjekur zhvillimin e Kinës për një kohë të gjatë dhe e ka vizituar Kinën shumë herë. Ai e vlerësoi lart rolin shembullor që ka luajtur Kina e Re në përmbushjen e detyrimeve si vend anëtar gjatë 50 vjetëve të fundit që kur ka rimarrë vendin e vet të ligjshëm në OKB. Krenz u shpreh se Kina ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në promovimin e paqes dhe zhvillimit të njerëzimit.
foto nga CMG
Krenz i tha gazetarit të CMG-së se ai e kujton qartë ende edhe sot situatën kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi të rikthejë të gjitha të drejtat e ligjshme të Republikës Popullore të Kinës në OKB në vitin 1971. Republika Demokratike e Gjermanisë (Gjermania Lindore) në atë kohë dukej sikur e kremtoi këtë fitore si një fitore të vetën.
"Mendoj se gjëja më e rëndësishme është se anëtarësimi i Kinës së Re në Kombet e Bashkuara është si shtimi i forcës paqësore. Tani, presidenti kinez ka folur shumë herë në fjalimet e tij për një bashkësi me fate të përbashkëta të njerëzimit, dhe një bashkësi me fate të përbashkëta të njerëzimit është rezultat i paqes. Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është se kontributi i Kinës në Asamblenë e Përgjithshme dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka shtuar forcat për ta mbajtur njerëzimin larg luftës. "
Krenz beson se Kina është përfshirë në mënyrë aktive për 50 vjet në kauzën e Kombeve të Bashkuara. Veçanërisht nisma "Një brez, një rrugë" i ka dhënë një shtysë të re forcimit të bashkëpunimit të hapur midis vendeve të ndryshme dhe nxitjes së zhvillimit të përbashkët global. Gjatë epidemisë, përpjekjet e jashtëzakonshme të Kinës për të luftuar pandeminë globale kanë qenë po aq mbresëlënëse.
"Kina jo vetëm që parandaloi dhe kontrolloi epideminë brenda vendit, duke e kontrolluar më mirë se vendet e tjera, por gjithashtu ndihmoi në mënyrë aktive këto vende duke u ofruar vaksina kundër koronavirusit të ri. Prandaj, besoj se ky është kontributi i jashtëzakonshëm që ka dhënë Kina për njerëzimin në fushën e shëndetësisë," tha Krenz.
Krenz vuri në dukje se nga vështirësitë e Republikës Popullore të Kinës kur u themelua në vitin 1949 në ekonominë e dytë më të madhe në botë, zhvillimi i shpejtë i Kinës është i dukshëm për të gjithë botën. Shumë vende duhet të mësojnë nga "përvoja kineze", veçanërisht ato vende që ende vuajnë nga varfëria dhe uria.
"Fitorja e Kinës në luftën kundër varfërisë është një kontribut i madh për të drejtat e njeriut. Për shkak se e drejta për mbijetesë është e drejta më themelore e njeriut, Kina ka bërë shumë punë për të mbrojtur të drejtën e njerëzve për mbijetesë. Unë mendoj se Kina ka pasur zhvillime mahnitëse në punët e saj të brendshme dhe ky fakt me ndikim të jashtëm është jetik për promovimin e paqes botërore. Ndërsa u sjell njerëzve guxim, ajo gjithashtu ndërton për botën një mur të lartë për të bllokuar frikën që sjell politika e luftës e nxitur në veçanti nga Shtetet e Bashkuara. Të gjithëve u pëlqen të shohin këtë prirje, dhe Kina është si një ‘fabrikë’ që prodhon paqe," vuri në dukje ish-sekretar i përgjithshëm i Partisë së Bashkimit Socialist të Gjermanisë dhe udhëheqësi i fundit i RDGJ-së Egon Krenz.(Vera/Artan)