正义---[zhèng yì]---Drejtësi

Nëpërmjet përpjekjeve të paepura të qeverisë kineze, të premten sipas orës vendore, zv.presidentja e kompanisë “Huawei” Meng Wanzhou, që u ndalua në mënyrë të paligjshme nga Kanadaja për 1028 ditë, u largua nga Kanadaja për në atdhe. Rifitimi i lirisë nga Meng Wanzhou është jo vetëm fitore e drejtësisë, por edhe shfaq vendosmërinë e qeverisë kineze për mbrojtjen e të drejtave e të interesave të ligjshme të shtetasve kinezë dhe vullnetin e fortë të popullit kinez kundër hegjemonizmit.

Në dhjetor të vitit 2018, me kërkesën e ShBA-së, autoritetet kanadeze arrestuan në Aeroportin Ndërkombëtar të Vankuverit znj. Meng Wanzhou, e cila nuk kishte shkelur asnjë ligj kanadez. Pala amerikane kërkoi ekstradimin e Meng Wanzhou-t në ShBA për gjykim për arsye të të ashtuquajturit “krim mashtrimi me transfertat elektronike”.

Është e dukshme që ky ishte një kurth politik i planifikuar nga pala amerikane kundër një shtetaseje kineze dhe synonte të godiste kompaninë kineze të teknologjisë së lartë “Huawei”, duke penguar zhvillimin tekniko-shkencor të Kinës.

Në fakt, gjyqtari kanadez që përgjigjej për dëgjimin e kësaj çështjeje, paraqiti disa herë dyshimin se akuzat e palës amerikane ndaj Meng Wanzhou-t janë “të paqarta” dhe “të jashtëzakonshme”. Krahas kësaj, sipas provave gjyqësore, në bashkëpunim me ShBA-në, banka HSBC ka falsifikuar dëshmi penale, duke luajtur një rol të turpshëm në këtë çështje. Me qartësimin gradual të fakteve, shumë personalitete kanadeze i bënë thirrje qeverisë kanadeze të përfundojë procesin e ekstradimit të Meng Wanzhou-t.

Përpjekjet e paepura të qeverisë kineze dhe përkrahja e popullit kinez ishin mbështetje e fortë ndaj MengWanzhou-t për kalimin e mbi 1000 ditëve të vështira. Pas ndalimit të paligjshëm të saj, qeveria kineze i kërkoi pandërprerë qeverisë kanadeze ta anulojë procesin e ekstradimit, duke e liruar MengWanzhou-n. Gjatë vizitës në korrik të këtij viti të zv.sekretares amerikane të Shtetit Wendy Sherman në Kinë, pala kineze i kërkoi qartë palës amerikane ta anulojë ekstradimin e Meng Wanzhou-t. Në sesionin e 48-të të Këshillit të Të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Kina i kërkoi Kanadasë ta lirojë MengWanzhou-n. Njëkohësisht mbi 15 milionë kinezë nënshkruan në internet për t’i kërkuar palës kanadeze lirimin e saj.

Incidenti i Meng Wanzhou-t ka treguar se në kohën e sotme, hegjemonizmi do të dështojë. Populli kinez nuk frikësohet nga pushteti i forcës e nga kërcënimet politike dhe nuk lejon asnjë shtetas kinez të bëhet viktimë e incidenteve politike. Një Kinë e fuqishme është gjithmonë mbështetja e fortë e popullit kinez. (Foto nga VCG)