建议---[jiàn yì]---Sugjerim
“Ne duhet të zbatojmë parimin e vetëqeverisjes nga afganët në bazë të respektimit të sovranitetit, të pavarësisë dhe të tërësisë territoriale të Afganistanit,” tha presidenti kinez Xi Jinping në samitin e përbashkët të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait dhe të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive për problemin e Afganistanit të zhvilluar të premten. Xi Jinping-u paraqiti në samit tre sugjerime për zgjidhjen e problemit të Afganistanit, të cilat përfshijnë “nxitjen e tranzicionit të qëndrueshëm të situatës në Afganistan”, “zhvillimin e dialogut me Afganistanin” dhe “dhënien e ndihmës popullit afgan”. Këto sugjerime kanë rëndësi të madhe për rindërtimin paqësor të Afganistanit dhe për mbrojtjen e paqes e të stabilitetit rajonal.
Nxitja e tranzicionit të qëndrueshëm të situatës në Afganistan është detyra kryesore tani. Ndryshimi i situatës në këtë vend ka sjellë ndërlikimin e luftën antiterroriste ndërkombëtare e rajonale. Disa terroristë të huaj në Afganistan po planifikojnë të shkojnë në vendet fqinje për veprime terroriste. Kina i ka kërkuar palës afgane të godasë organizatat terroriste në territorin e saj për të parandaluar përhapjen e forcave terroriste. Kjo është vëmendje e arsyeshme e vendeve fqinje të Afganistanit, duke përfshirë Kinën. Pala afgane duhet të zbatojë premtimet e bëra në këtë drejtim për të fituar më shumë përkrahje ndërkombëtare.
Së dyti, zhvillimi i kontakteve e dialogut me Afganistanin është një hap i nevojshëm për pranimin e Afganistanit në familjen ndërkombëtare. Si një vend i rëndësishëm në këtë rajon, Afganistani nuk duhet të izolohet. Kina propozoi të zhvillohen kontakte me palët e ndryshme në Afganistan për të nxitur ndjekjen e politikave më të hapura e më të qëndrueshme të brendshme e të jashtme në këtë vend, gjë që do të ushtrojë ndikim të thellë për stabilitetin afatgjatë të Afganistanit dhe të rajonit.
Së treti, palët e ndryshme kanë përgjegjësi ta ndihmojnë popullin afgan të kapërcejë vështirësitë. Kina ka vendosur t’i dhurojë fillimisht popullit afgan 3 milionë doza vaksinash dhe ushqime e furnizime dimërore me një vlerë prej 200 milionë juanësh (afro 30 milionë dollarë). Kina ka shprehur gjithashtu dëshirën për ta ndihmuar Afganistanin të ndërtojë vepra lidhur me jetën e popullit. Kjo ndihmë reale tregon sinqeritetin e popullit kinez në ndihmë të popullit afgan për rindërtimin e vendit.
Njëkohësisht, pala kineze theksoi se e ashtuquajtura “luftë antiterroriste” nga ShBA-ja dhe aleatët e saj është burimi i fatkeqësive të sotme në Afganistan. Këto vende kanë përgjegjësi t’i japin popullit afgan ndihmë humanitare dhe kompensimet e nevojshme.
Rivendosja e paqes dhe e stabilitetit në Afganistan është shpresa e popullit afgan dhe përputhet me interesat e përbashkët të këtij rajoni. Si vend fqinj i Afganistanit, Kina do të punojë së bashku me vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait dhe të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive për të mbrojtur paqen e qëndrueshmërinë rajonale. (Fani)