经济---[jīng jì]---Ekonomi
"Të dhënat ekonomike të publikuara ditët e fundit tregojnë se, pavarësisht ndikimeve negative të sjella nga përhapja e koronavirusit të ri, Kina vijon rolin e saj si nxitëse e rigjallërimit të ekonomisë globale", shkruhet në një koment të publikuar nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG).
Pekin(VCG)
Sipas komentit, megjithëse në korrik, për shkak të faktorëve të pasigurt, përmbytjeve dhe rasteve të reja të infektimeve në vendin, rritja e treguesve kryesorë të ekonomisë kineze u ngadalësua, treguesit kryesorë ende janë brenda një sfere të arsyeshme në përgjithësi, gjë që tregon se Kina do të vazhdojë të jetë stabilizuese e rimëkëmbjes ekonomike botërore.
Së pari, Kina ka mbrojtur investimet e dyanshme aktive. Sipas Ministrisë së Tregtisë, në shtatë muajt e parë, përdorimi real i investimeve të huaja nga Kina ka arritur në 672 miliardë juanë, 25.5% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, ose para shpërthimit të epidemisë. Kjo tregon se tregu kinez ka ofruar raste të rralla zhvillimi për kompanitë ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, investimet e drejtpërdrejta jofinanciare kineze në vendet pjesëmarrëse në nismën "Një brez, një rrugë" i kaluan 11.2 miliardë dollarët amerikanë, me një rritje 9.9%.
Së dyti, fabrikat kineze po mbushin hendekun midis kërkesës e ofertës, duke ndihmuar në stabilizimin e zinxhirëve globalë të furnizimit. Nga janari deri në korrik, vëllimet e import-eksport, importit dhe eksportit u shtuan përkatësisht 24.5%, 24.5% dhe 24.4%, duke njohur rritjen më të shpejtë në dhjetë vjetët e fundit. Ndërsa shkëmbimet ekonomiko-tregtare midis Kinës dhe ekonomive kryesore botërore, si ShBA-ja, BE-ja e Japonia, si edhe tregjeve të reja kryesore, si ASEAN-i, Amerika Latine, Afrika etj., kanë pasur përkatësisht rritje mbi 20%.
Porti në qytetin Qingdao, provincë Shandong, Kinë(VCG)
Një gjë tjetër që duhet të përmendet është se Kina po e ndihmon botën në uljen e trysnisë së inflacionit. Për të zbutur krizën e shkaktuar nga epidemia, ekonomitë perëndimore, me ShBA-në në krye, shpallën një sërë politikash stimulimi financiar, gjë që i ka ngritur çmimet e shumë produkteve kryesore në tregun botëror në një nivel të ri rekord, duke i përhapur presionet e inflacionit në botë. Një raport i "Wall Street Journal" tregon se gjatë 12 muajve deri në majin e këtij viti, çmimet e mallrave kineze të eksportuara në ShBA u rritën me 2.7 % , shifër kjo më e ulët se vlera e përgjithshme e inflacionit të konsumit në ShBA, që ishte 5 %. "Shumë fabrika kineze po përthithin ndikimet e rritjes së kostos së lëndëve të para, gjë që ndihmon në parandalimin e rritjes së mëtejshme të çmimeve të produkteve gjetkë," thuhet në koment.
Gjatë këtij procesi, Kina i ka mbajtur gjithmonë të hapura dyert e saj për t’i shtuar më shumë energji rimëkëmbjes së ekonomisë globale. Ndërkohë, numri i 500 ndërmarrjeve më të fuqishme botërore dhe firmave kryesore në sektorët e ndryshëm të regjistruara për pjesëmarrje në Panairin e 4-t të Importit të Kinës ka vazhduar të rritet.
Fabrikë kineze(VCG)
Lidhur me këtë, në komentin e CMG-së vihet në dukje se vlera e kontributeve të Kinës ndaj ekonomisë botërore nuk është vetëm për momentin, por për një periudhë afatgjatë. "Kina, që gjithmonë ngul këmbë në parimet e bashkëpunimit, hapjes e leverdisë së ndërsjellë dhe jo në kundërvënie, mbyllje apo lojën ku fituesi i merr të gjitha, është bërë një nxitëse e zhvillimit të përbashkët të botës", përfundon komenti. (Zhang Yan/Artan)