图书---[tú shū]---Libër
Të martën u hap Panairi i 28-të Ndërkombëtar i Librit i Pekinit. Gjatë pesë ditëve të zhvillimit të tij janë organizuar ose do të organizohen shumë aktivitete reale dhe virtuale, të cilat do të thellojnë më tej shkëmbimet kulturore e njerëzore.
Në këtë panair, Shtëpia Botuese Teknologjike e Liaoning-ut demonstron versionin në anglishte të kolanës së librave mbi historinë e kuzhinës kineze, përkatësisht lidhur me orizin, perimet, peshkun dhe mishin. Krahas mënyrës konkrete të gatimit, në libra paraqiten sfondi kulturor rajonal dhe prejardhja e lashtë e këtyre ushqimeve. Drejtori i kësaj shtëpie botuese, Song Chunzhi, i tha gazetarit të Grupit Mediatik të Kinës se ai shpreson që nëpërmjet këtyre librave të përhapet kultura e shquar tradicionale kineze.
“Kuzhina mund të pasqyrojë më shumë kulturën tradicionale kineze. Në këtë drejtim, kemi botuar ’Artin e luftës’, ‘Analet e Konfucit’ dhe libra të tjerë në gjuhën angleze, duke i promovuar në mbarë botën. Më pas do të botojmë edhe 30-40 libra të rinj të tillë në anglishte, që të huajt ta njohin më shumë Kinën.”
Shtëpia Botuese Popullore e Shaanxi-së zhvilloi ceremoninë e promovimit të librit “Hulumtimi në kozmos” në versionet në rusishte dhe bjellorusishte. Në këtë libër, nëpërmjet reportazheve, shtjellohet gjithanshëm historia e zhvillimit të çështjes së fluturimeve kozmike të Kinës. Përgjegjësja e botuesit rus të këtij libri, Yekaterina, tha se qysh nga prilli i këtij viti, kur u fut në tregun rus, libri u prit mirë:
“Versioni në gjuhën ruse i këtij libri mund të blihet lehtësisht në uebsajtet më të mëdha për shitjen e librave në rusishte. Nëpërmjet kanaleve ekzistuese të shitjes të shtëpisë sonë botuese, ky libër ka hyrë edhe në rrjetin më të madh të shitjes së librave në Rusi dhe në vendet e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik dhe gjendet edhe në libraritë e qyteteve kryesore të këtyre vendeve, përfshirë Moskën dhe Shën-Petërburgun. Ky libër ka ngjallur interes të madh te lexuesit rusë dhe ka marrë vlerësime të larta.”
Si vend i ftuar i nderit i këtij panairi libri, Pakistani ka paraqitur shumë libra të përgjedhur, fotografi tematike dhe libra vizatimorë. Diplomati nga ambasada e Pakistanit në Kinë, Avesi, i tha gazetarit:
“Pavijoni i Pakistanit synon njohjen e popullit kinez me historinë, arkiteturën dhe kulturën e vendit tonë. Shpresoj se ky aktivitet do të jetë në ndihmë të shtimit të njohjes nga populli kinez të historisë dhe panoramave të vendit tonë.”
Në këtë panair marrin pjesë 2 200 botues nga 105 vende e rajone të botës. Dy të tretat ndër ta janë të huaj dhe 57 janë nga vendet përgjatë “Një brez, një rrugë”. 13 ndër 50 shtëpitë botuese më të fuqishme në botë marrin pjesë në këtë panair. (Wang Lei/ Artan)