技术---[jì shù]---Teknologji
Panairi i 28-të Ndërkombëtar i Librit i Pekinit do të zhvillohet nga 14 deri më 18 shtator, paralelisht në mënyrë reale dhe virtuale. Në mbledhjen e nivelit të lartë mbi botimet 2021, që u zhvillua në këtë kuadër në Pekin, pjesëmarrësit kinezë dhe të huaj të qarqeve të botimeve janë të mendimit se shkëmbimet dhe bashkëpunimi në fushën e botimeve kanë perspektivë të gjerë dhe duhet të shfrytëzojnë teknologjitë e reja, që të japin kontribut të ri për ndërtimin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit.
Mbledhja e nivelit të lartë mbi botimet 2021/foto nga organizatori i mbledhjes
Gjatë mbi 30 vjetëve që prej krijimit të tij në vitin 1986, Panairi Ndërkombëtar i Librit i Pekinit ka ushtruar ndikime gjithnjë e më të mëdha. Me shtimin e numrit të vendeve pjesëmarrëse nga 30 në fillim deri në mbi 100 sot, ai është bërë ndër panairet kryesore të librave në botë. Në fillim në këtë panair u ekspozuan kryesisht libra në gjuhë të huaja nga vendet e zhvilluara, ndërsa sot librat në gjuhën kineze dhe në gjuhë të huaja paraqiten paralelisht. Mbi 30 vende janë bërë vende të ftuara nderi në këtë panair.
Zhao Haiyun, zyrtar për import-eksportin e librave, në mbledhjen e nivelit të lartë mbi botimet 2021/foto nga organizatori i mbledhjes
Zhvillimi i Panairit Ndërkombëtar të Librit të Pekinit gjatë 30 vjetëve të kaluar shërben si dëshmi e thellimit të pandërprerë të shkëmbimeve kulturore të Kinës me vende të ndryshme të botës, në bazë të konceptit "respekt i ndërsjellë, bashkëpunim me përfitime të përbashkëta dhe zhvillim i përbashkët". Vitet e fundit, qarqet ndërkombëtare të botimeve kanë bërë shumë në tregtinë e të drejtave të autorit, import-eksportin e librave fizikë e elektronikë, si dhe në investimet e përbashkëta. Zhao Haiyun, zyrtar për import-eksportin e librave, tha:
"Kemi zbatuar programin e përkthimit të ndërsjellë të veprave klasike aziatike dhe aktualisht kemi nënshkruar memorandume bashkëpunimi me pesë vende dhe më pas do të nënshkruajmë memorandume bashkëpunimi edhe me më shumë vende të tjera. Programi i botimit të veprave klasike kineze në vende të tjera, programi i librave të vendeve përgjatë Rrugës së Mëndafshit dhe programi i ‘raftit të librave kinezë’ kanë luajtur rol drejtues në bashkëpunimin ndërkombëtar në botime."
Kryeredaktori i Kompanisë së Botimeve Shkencore Botërore Pan Guoju thotë se Kina është bërë ekonomia e dytë dhe, për zhvillimin ekonomik, teknologjia ka luajtur rol shumë të madh nxitës. Ai thekson se kompania e tij është e gatshme ta njohë mbarë botën me rezultatet e fundit të teknologjive të larta, si dhe me përvojën e Kinës në fushat përkatëse.
"Kompania jonë e përkrah shumë nismën 'Një brez, një rrugë'. Në vitin 2018, krijuam revistën e parë në botë në gjuhën angleze rreth 'Një brez, një rrugë', me titull 'Kina dhe bota: Rruga e Mëndafshit e lashtë dhe e sotme', që ta njohim gjithë botën me kursin dhe politikat në kuadrin e nismës 'Një brez, një rrugë' dhe të diskutojmë mbi këtë temë nga këndvështrimin akademik. Kemi botuar edhe një kolanë me 15 libra mbi 'Një brez, një rrugë' qysh nga korriku i vitit 2018. Besojmë se, me përpjekjet tona, do t'i njohim lexuesit e mbarë botës më shumë me Kinën e Azinë dhe do të japim një kontribut sado të vogël për ndërtimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit."
Zv.kryetari Shoqatës së Botimeve të Kinës Wu Shulin, në mbledhjen e nivelit të lartë mbi botimet 2021/foto nga organizatori i mbledhjes
Vitet e fundit, qarqet ndërkombëtare të botimeve kanë pasur përparime në digjitalizimin e botimeve e të shërbimeve në bazë të teknologjive të reja, në përshtatje me ndryshimet në procesin e botimit, format e librave, mënyrën e leximit dhe kanalet e përhapjes. Zv.kryetari Shoqatës së Botimeve të Kinës Wu Shulin shprehet se sektori i botimeve duhet të shfrytëzojë aktivisht teknologjitë e reja:
"Duhet të studiojmë me zemër të hapur ndryshimet revolucionare në sektorin e botimeve të sjella nga teknologjitë e reja. Inteligjenca artificiale, të dhënat e mëdha, zinxhiri i blloqeve, 5G etj. janë përdorur nga kolegët tanë të huaj për krijimin e platformave të botimit. Duhet të ecim me hapat e botës në shkëmbimet kulturore." (Wang Lei/ Artan)