真相---[zhēn xiàng]---fakt
Pas më shumë se 90 ditësh, i ashtuquajturi raport për gjurmimin e origjinës së virusit, i fabrikuar nga shërbimet informative amerikane, nuk ka nxjerrë asnjë konkluzion të qartë, por ka fajësuar Kinën, duke thënë që “Kina refuzon të ndajë informacione”. Fakti është që me një akuzë të tillë duhet të ngarkohet vetë ShBA-ja.
Qysh nga fillimi, ShBA-ja ka mënjanuar shkencëtarët, duke përdorur agjencitë e zbulimit për gjurmimin e origjinës së COVID-19, me synimin që ta politizojë këtë raport dhe t’ia hedhë fajin Kinës. Edhe pse nuk janë gjetur dëshmi, e ashtuquajtura “fshehje e informacionit” është një nga krimet që ka parapërgatitur ShBA-ja për Kinën.
Gënjeshtrat nuk e fshehin dot të vërtetën. Nga raportimi e shpejtë i epidemisë për OBSh-në, deri në ndarjen e renditjes gjenetike të virusit për vendet e botës dhe bashkëpunimin antiepidemik ndërkombëtar, lufta e Kinës kundër epidemisë ka qenë e qartë, me të dhëna të vërteta dhe të gjurmueshme. Zyrtarët përkatës të OBSh-së kanë hedhur poshtë akuzat pa bazë për mostransparencën e Kinës në ofrimin e të dhënave.
Gjurmimi i origjinës së koronavirusit është një çështje shkencore. Gjurmimi në shumë vende të botës është puna kyçe për fazën e ardhshme të gjurmimit dhe palët duhet të koordinohen në këtë drejtim. Mirëpo, si vendi me numrin më të madh të rasteve të konfirmuara dhe të vdekjeve nga COVID-19, ShBA-ja refuzon publikimin e të dhënave mbi rastet e para, duke mos bashkëpunuar në gjurmimin e COVID-19 në ShBA. Kjo tregon që pala amerikane fsheh diçka para botës.
Në fakt, epidemia në ShBA ka pasur shumë pika të dyshueshme. Nga koha e fillimit të infektimit, deri në bazën “Fort-Detrik” dhe biolaboratorin e Universitetit të Karolinës së Veriut, dhe në numrin e infektimeve e të vdekjeve, që janë më të larta se të dhënat zyrtare, këto fakte dhe shifra tregojnë se disa njerëz në ShBA me qëllim po fshehin të dhënat epidemike dhe po shtypin shkencëtarët që guxojnë të thonë të vërtetën.
Me kalimin e kohës, njerëzit sigurisht mund të shohin qartë se, megjithëse “i zoti” i Shtëpisë së Bardhë ka ndryshuar, taktika e ShBA-së për hedhjen e fajit te të tjerët dhe logjika për t’u shërbyer interesave të veta politike nuk kanë ndryshuar. Kjo është arsyeja e vërtetë që pala amerikane nuk guxon të publikojë të dhënat mbi gjendjen epidemike në SHBA.
Tani e gjithë bota pyet se kur mund të publikohen të dhënat e rasteve të para në ShBA? Kur mund të ftohen ekspertët e OBSh-së për studimin e gjurmimit të origjinës? Përpara këtyre pyetjeve, ShBA-ja duhet të japë shpjegim për tërë botën, sepse lidhur me shëndetin e mbarë njerëzimit, bota ka të drejtë të njohë të vërtetën.