障碍---[zhàng aì]---Pengesë
Ditët e fundit, agjencitë e zbulimit të ShBA-së hartuan një raport hetimi mbi gjurmimin e origjinës së koronavirusit të tipit të ri, ku shpifet se Kina pengon hetimet përkatëse ndërkombëtare dhe i kërkohet bashkësisë ndërkombëtare të ushtrojë presion politik mbi Kinën. Ky veprim i përhapjes së virusit politik po dëmton rëndë bashkëpunimin global kundër pandemisë dhe studimet për origjinën e koronavirusit.
Në të njëjtën kohë, kohët e fundit, më se 80 vende shprehën kundërshtimin e tyre për politizimin e problemit të gjurmimit, duke përkrahur përfundimet e arritura gjatë fazës së parë të gjurmimit të koronavirusit. Më se 100 vende e rajone dhe më se 300 parti, organizata shoqërore dhe grupe ekspertësh i paraqitën Sekretariatit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë një deklaratë të përbashkët, ku kundërshtohet politizimi i gjurmimit të koronavirusit.
Në fakt, organizimi i gjurmimit të origjinës së koronavirusit nga agjencitë amerikanë të zbulimit është një farsë politike dhe raporti i hartuar nga pala amerikane ka si qëllim heqjen e përgjegjësisë nga vetja lidhur me paaftësinë e përballimit të pandemisë. Dijetari amerikan Mario Cavolo vuri në dukje se ShBA-ja përhap gjithmonë teorinë e daljes së virusit nga laboratori i Wuhan-it për të shpërndarë vëmendjen e njerëzve nga historia e daljes së viruseve nga laboratorët amerikanë.
ShBA-ja është vendi me rastet më të shumta të infektimeve dhe të vdekjeve nga koronavirusi në botë dhe ka penguar rëndë bashkëpunimin global kundër pandemisë. Krahas kësaj, prezumimi i fajësisë nga agjencitë amerikanë të zbulimit ka penguar qarqet shkencore botërore të zbulojnë origjinën e virusit. Ditët e fundit, anëtari i grupit ndërkombëtar të ekspertëve të OBSh-së për gjurmimin e origjinës së koronavirusit, studiuesi australian Dominic Dwyer, botoi një artikull, ku thuhet se grindja pa pushim për problemin e gjurmimit të origjinës do ta zgjatë kohën për kryerjen e studimit shkencor lidhur me këtë problem.
Njëkohësisht, orvatja e SHBA-së për lidhjen e origjinës së koronavirusit me Kinën ka acaruar diskriminimin dhe urrejtjen raciale në tërë globin. Si pasojë, bashkësia njerëzore ka rrezik të futet në ndarje dhe konfrontim. Sipas njoftimeve kohët e fundit të CNN-it, organizatat e aziatiko-amerikanëve në ShBA shqetësohen se raporti i hetimit mbi gjurmimin e origjinës së koronavirusit “do të ligjërojë thëniet raciste”, duke sjellë më shumë incidente të dhunshme kundër aziatiko-amerikanëve në tërë ShBA-në.
Grupi Mediatik i Kinës komenton se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë përhapjen e virusit politik nga politikanët amerikanë dhe duhet të bashkëpunojë për kundërshtimin e politizimit të gjurmimit të origjinës, me qëllim që ky gjurmim të kthehet në rrugën e duhur shkencore. (Fani)