高速公路---[gāo sù gōng lù]---autostradë
Ministri kinez i Transportit Li Xiaopeng u shpreh në një konferencë shtypi të martën se deri në vitin 2020, gjatësia e autostradave në funksionim në Kinë arriti në 161 mijë kilometra, duke qëndruar në vendin e parë në botë.
Deri tani, rrjeti gjithëpërfshirës i transportit në Kinë, duke përfshirë transportin hekurudhor, transportin rrugor, transportin ujor dhe atë ajror, është përmirësuar dita-ditës. Ministri i Transportit Li Xiaopeng u shpreh:
"Hekurudhat me shpejtësi të lartë mbulojnë mbi 95 % të qyteteve të mëdha me popullsi mbi 1 milion, autostradat mbulojnë mbi 98 % të qyteteve me popullsi mbi 200 mijë, ndërsa aeroportet e transportit civil mbulojnë 92 % të qyteteve në nivel prefekture."
Sipas të dhënave statistikore, deri në fund të vitit 2020, gjatësia e hekurudhave në funksionim në Kinë arriti në 146 mijë kilometra, ndër të cilat 38 mijë kilometra janë hekurudha të shpejtësisë së lartë. Gjatësia e përgjithshme e autostradave në Kinë arriti në 5 milionë e 198.1 mijë kilometra, ndër të cilat 161 mijë kilometra autostrada me shpejtësi të lartë, duke zënë vendin e parë në botë.
Mbështetja e transportit për zhvillimin ekonomik e shoqëror u përmirësua në mënyrë të dukshme. Në vitin 2020, tetë ndër dhjetë portet kryesore globale për hyrje-daljen e mallrave ndodheshin në Kinë. Flota detare kineze është e dyta në botë. 95 % e mallrave të tregtisë së jashtme të Kinës transportohen në rrugë detare. Liu Xiaopeng u shpreh:
"Trenat me shpejtësi të lartë kryejnë 70 % të punës së transportimit të udhëtarëve, ndërsa fluturimet e rregullta të aviacionit civil kanë zënë mbi 80 % të vëllimit të përgjithshëm të fluturimeve për tre vjet me radhë. Nga viti 2016 deri në vitin 2020, mallrat e transportuara nëpërmjet hekurudhës u shtuan nga 7.6 % në 9.8%, ndërsa nëpërmjet transportit ujor nga 14.5% në 16.4%. Edhe zhvillimi i modeleve të reja të biznesit është forcuar. Rezervimi i taksive nëpërmjet internetit mbulon mbi 300 qytete kineze, dhe janë realizuar mesatarisht mbi 20 milionë rezervime të tilla në ditë," tha Li Xiaopeng.
Ai u shpreh gjithashtu se, sipas planit përkatës, deri në mes të këtij shekulli, Kina do të bëhet një vend i fuqshëm i transportit të gjithanshëm:
"Së pari, në të kaluarën synonim rritjen e sasisë dhe të shpejtësisë, ndërsa në të ardhmen do të synojmë më shumë cilësinë dhe rendimentin. Së dyti, në të kaluarën transporti në Kinë është zhvilluar nëpërmjet mbështetjes së veçantë. Në të ardhmen, do t'i kushtojmë vëmendje më të madhe reformës e hapjes, si dhe risive. Së treti, në të kaluarën e zhvilluam transportin sipas sektorëve individualë, si ai hekurudhor, rrugor, ajror, ujor, postar etj. Në të ardhmen do të zhvillojmë tranportin kompleks dhe të integruar."(Xu Guang)