贸易---[mào yì]---tregti
Zv.ministri i Tregtisë i Kinës u shpreh në një konferencë shtypi të hënën se Ministria e Tregtisë e Kinës po shpejton negociatat mbi marrëveshjet e reja të tregtisë së lirë dhe po shqyrton pjesëmarrjen në Marrëveshjen e Gjithanshme dhe Progresive për Partneritetin e Trans-Paqësorit (CPTPP). Në të njëjtën kohë, kjo ministri po studion hartimin e listës negative të hyrjes së investimeve të huaja, për të forcuar mbrojtjen e interesave të ligjshme të investitorëve të huaj.
Sipas Organizatës Botërore të Tregtisë, deri tani janë arritur mbi 350 marrëveshje të tregtisë së lirë ndërkombëtare. Zv.ministri i Tregtisë dhe zv.përfaqësuesi i Kinës në negociatatat e tregtisë ndërkombëtare Wang Shouwen vuri në dukje se deri tani Kina ka nënshkruar 19 marrëveshje të tregtisë së lirë me 26 vende dhe rajone. Ai vuri në dukje se nënshkrimi i marrëveshjeve të tregtisë së lirë jo vetëm mund të zgjerojë marrëdhëniet tregtare dhe të investimeve me partnerët e tregtisë së lirë, por edhe mund të luajë rol të dukshëm për stabilitetin e tregtisë së lirë dhe të investimeve të huaja.
"Në fazën tjetër, do të shkallëzojmë më tej marrëveshjet e tregtisë së lirë aktuale, si marrëveshjet e tregtisë së lirë me Singaporin dhe me Korenë e Jugut. Në të njëjtën kohë, do të shpejtojmë negociatat mbi marrëveshjet e reja të tregtisë së lirë, si negociatat mbi marrëveshjen e tregtisë së lirë Kinë-Japoni-Kore e Jugut, marrëveshjet e tregtisë së lirë me Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit, Izraelin dhe Norvegjinë. Po marrim parasysh edhe pjesëmarrjen në CPTPP."
Organizata Botërore e Tregtisë do të organizojë mbledhjen e 12-të ministrore më 29 nëntor. Wang Shouwen u shpreh se OBT-ja po përballon sfida serioze: Organi i Apelit vijon të mos funksionojë, ndërsa disa vende i politizojnë problemet tregtare, duke dëmtuar efektivitetin dhe autoritetin e sistemit të OBT-së. Prandaj, qarqet e jashtme kanë pritshmëri të mëdha nga kjo mbledhje. Wang Shouwen-i tha që Kina është e mendimit se rezultatet që do të arrihen në këtë mbledhje kanë rëndësi të madhe për imazhin e OBT-së dhe forcimin e besimit të komunitetit ndërkombëtar te kjo organizatë. Kina do të paraqitë sugjerimet dhe projektet e saj për të nxitur globalizimin ekonomik drejt hapjes, tolerancës, mbulimit të përgjithshëm, barazisë e përfitimeve të përbashkëta.
Kina ka qenë gjithmonë një destinacion i rëndësishëm i investimeve të huaja. Në katër vjetët e fundit, Kina është renditur në vendin e dytë të botës për vëllimin e investimeve të huaja. Vitin e kaluar, kur investimet e huaja globale u ulën 40 %, investimet e huaja në Kinë u shtuan me 4.5 %. Ministri i Tregtisë i Kinës Wang Wentao u shpreh se Kina do të vazhdojë zgjerimin dhe forcimin e mbrojtjes së interesave të ligjshme të investitorëve të huaj.
"Do të shkurtojmë më tej listën negative dhe do të hartojmë sa më shpejt listën negative të hyrjes së investimeve të huaja të vitit 2021. Do të lehtësojmë kufizimet e hyrjes, për të zgjeruar hapjen e mëtejshme. Kina do të nxitë negociatat për disa marrëveshje të tregtisë së lirë, do të marrë pjesë dhe do të nxitë pozitivisht reformën e OBT-së. Kina po ashtu do të forcojë mbrojtjen e interesave të ligjshme të investitorëve të huaj dhe do të zbatojë rreptësisht Ligjin për Investimet e Huaja dhe rregullat përkatëse, duke përmirësuar më tej elementet mbështetëse dhe duke krijuar në mjedis biznesi të orientuar nga tregu, ligjor dhe të ndërkombëtarizuar, tha Wang Wentao."(Xu Guang)