复苏---[fù sū]---Rimëkëmbja
Përhapja e variantit “Delta” të COVID-19 në mbarë botën pengon procesin e rimëkëmbjes së ekonomisë botërore. Në këtë sfond, të dhënat e ekonomisë kineze, të publikuara ditët e fundit nga autoritetet kineze, kanë tërhequr vëmendjen e madhe të opinionit.
foto nga CMG
Në korrik, si pasojë e përmbytjeve dhe e shtimit të rasteve të COVID-19 në disa krahina, disa tregues kryesorë të rritjes së ekonomisë kineze patën ulje. Megjithatë, treguesit makroekonomikë të Kinës janë ende në nivele të arsyeshme dhe gjendja e përgjithshme e ekonomisë ka vijuar prirjen e rimëkëmbjes. Ashtu siç vunë në dukje shumë ekspertë, Kina do të vazhdojë të luajë rol stabilizues për rimëkëmbjen e ekonomisë botërore, komentoi Grupi Mediatik i Kinës (CMG).
Së pari, investimet e dyanshme aktive i kanë shtuar forcë nxitëse rimëkëmbjes ekonomike botërore. Sipas të dhënave statistikore, nga janari deri në korrik të këtij viti, vëllimi i përgjithshëm i përdorimit real të investimeve të huaja në Kinë i kaloi 672 miliardë juanët, 25.6 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo tregon se Kina është ende destinacion tërheqës për investitorët e mbarë botës.
Ndërkohë, edhe investimet kineze kanë ndihmuar vendet përkatëse në rimëkëmbjen ekonomike. Gjatë kësaj periudhe, investimet e drejtpërdrejta jofinanciare në vendet përgjatë “Një brez, një rrugë” arritën 11 miliardë e 290 milionë dollarë amerikanë, duke u shtuar 9.9 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme.
Së dyti, fabrikat kineze po plotësojnë mungesën e madhe të furnizimit në tregun ndërkombëtar si pasojë e pandemisë, duke stabilizuar zinxhirin global të furnizimit. Në shtatë muajt e parë të këtij viti, vëllimi i import-eksportit, importit dhe eksportit u shtuan përkatësisht 24.5, 24.5 dhe 24.4 për qind, shifra këto më të lartat në dhjetë vjet.
foto nga VCG
Vlen të përmendet se Kina po ndihmon botën në zbutjen e presionit të inflacionit, komentoi CMG-ja. Për zbutjen e krizës nga pandemia, ekonomitë perëndimore, me ShBA-në në krye, kanë zbatuar politikën e stimulimit financiar me shuma kolosale dhe, si pasojë, çmimi i shumë lëndëve të para u ngrit në një kulm shumëvjeçar, duke çuar në mbarë botën presionin e inflacionit.
Kina jo vetëm e përballon këtë presion të madh, por edhe jep kontribut për zbutjen e tij në mbarë botën. Sipas njoftimit të gazetës “The Wall Street Journal”, gjatë 12 muajve deri në maj të këtij viti, çmimi i mallrave kineze të importuara në ShBA u ngri 2.7 për qind, por kjo është më e ulët se niveli i përgjithshëm i inflacionit të konsumit në ShBA prej 5 për qind. “Shumë fabrika kineze po përthithin ngritjen e kostos së materialeve, çka është në ndihmë të parandalimit të ngritjes së mëtejshme të çmimit të produkteve të konsumit të vendeve të tjera.”
Sigurisht, për ekonominë e tanishme botërore plot pasiguri, ka rëndësi të madhe ruajtja e rimëkëmbjes së qëndrueshme të ekonomisë kineze. Më e rëndësishmja është se Kina ka mbajtur të hapur dyert e tregut të saj. P. sh., gjatë Ekspozitës së 5-të Kinë-Shtetet Arabe, që është duke u zhvilluar, u nënshkruan 277 marrëveshje me një vlerë prej afro 24 miliardë dollarësh amerikanë.
Kontributi i Kinës për ekonominë botërore nuk kufizohet vetëm në kohën e tanishme, por niset nga largpamësia. Duke këmbëngulur në bashkëpunimin, hapjen, leverdinë e ndërsjellë dhe përfitimet e përbëshkëta dhe duke kundërshtuar kundërvënien, mbylljen dhe lojën ku fituesi i merr të gjitha, Kina është bërë nxitësja kryesore e hapjes së përbashkët globale, përfundoi CMG-ja në komentin e saj.(Wang Lei/ Artan)