支持---[zhī chí]---Përkrahja
Foto: Visual People
Përkrahja për presidentin amerikan Joe Biden ra me 7 pikë përqindjeje, duke arritur nivelin më të ulët të regjistruar në sondazhet javore të “Reuters”/”Ipsos” që filluan kur Biden mori detyrën në janar. Kjo ndodhi pasi talibanët rimorën kryeqytetin afgan Kabul të dielën, me rrëzimin e qeverisë afgane dhe pas dy dekadave pushtimi të udhëhequr nga ShBA-ja që kushtoi mbi 6 000 jetë amerikanësh dhe mbi 2 trilionë dollarë.
Miratimi për trajtimin nga Biden-i të çështjes së Afganistanit - pasi ai urdhëroi tërheqjen e plotë të trupave në prill, që shumë ekspertë besojnë se përshpejtoi përmbysjen e qeverisë afgane - është edhe më e ulët se ajo e ish-presidentit Xhorxh W. Bush, i cili urdhëroi pushtimin e Afganistanit.
"Kur ShBA-ja njoftoi tërheqjen, kjo dërgoi një sinjal për ushtarët dhe policët afganë se fundi ishte afër, dhe e shndërroi motivimin e dobët kronik në kolaps akut, pasi askush nuk donte të ishte njeriu i fundit në këmbë pasi të tjerët u dorëzuan," tha për CNBC Stephen Biddle, profesor i çështjeve ndërkombëtare dhe publike në Universitetin e Kolumbias.
"Afganistani do të ketë një qeveri të fortë, islamike," tha një zëdhënës i talibanëve kur ata mbajtën konferencën e tyre të parë zyrtare për shtypin që nga pushtimi rrufe i kryeqytetit afgan.
Talibanët thanë se dëshirojnë zhvillimin e marrëdhënieve paqësore me vendet e tjera dhe se do të respektojnë të drejtat e grave në kuadrin e ligjit islam. Ata nuk dhanë shumë hollësi, por sugjeruan se do të ndjekin një linjë më të butë sesa gjatë sundimit të tyre 20 vjet më parë.
Foto: Visual People
Sipas grupit, një nga udhëheqësit e bashkëthemeluesit e tyre, mulla Abdul Ghani Baradari, ishte kthyer në Afganistan për herë të parë në më shumë se 10 vjet. Baradari u arrestua në vitin 2010, por u lirua nga burgu në vitin 2018 me kërkesë të administratës së ish-presidentit amerikan Donald Trump që ai të mund të merrte pjesë në bisedimet e paqes.
"Nuk duam asnjë armik të brendshëm apo të jashtëm," tha kryezëdhënësi i talibanëve Zabihullah Mujahid.
Gratë do të lejohen të punojnë e studiojnë dhe "do të jenë shumë aktive në shoqëri, por brenda kornizës së islamit," shtoi ai.
Mujahid tha gjithashtu se talibanët nuk do të kërkojnë ndëshkim kundër ish-ushtarëve dhe ish-zyrtarëve qeveritarë dhe do të shpallnin një amnisti për ish-ushtarët, si dhe kontraktorët dhe përkthyesit që punonin për forcat ndërkombëtare.
"Askush nuk do t'ju bëjë keq, askush nuk do t’ju trokasë në derë," u shpreh ai, duke shtuar se kishte një "ndryshim të madh" midis talibanëve të tanishëm dhe atyre të 20 vjetëve më parë.
Ushtria dhe diplomatët amerikanë kanë biseduar me talibanët për të siguruar evakuimin nga Kabuli, por administrata e Biden-it tha se do të shikojë veprimet e talebanëve për të vendosur mbi marrëdhëniet afatgjata.
Në Britani, e cila i tërhoqi edhe ajo forcat e saj, sekretari i Jashtëm Dominic Raab tha se "zakonisht" Londra nuk do të merrej me talibanët për shkak të standardeve të tyre të të drejtave të njeriut.
Kryeministri kanadez Justin Trudeau gjithashtu e bëri të qartë se qeveria e tij nuk kishte në plan të njihte talibanët si qeveri e ligjshme e Afganistanit.
"Kur ata ishin në qeveri 20 vjet më parë, Kanadaja nuk i njohu," tha të martën Trudeau, i cili po bën fushatë për rizgjedhje pasi shpalli zgjedhjet të dielën. Dy avionë me diplomatë, trupa dhe shtetas afganë nga Kabuli zbarkuan në Kanada mbrëmjen e së hënës.
Kreu i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell u shpreh hapur të martën: "Talibanët kanë fituar luftën, kështu që do të na duhet të flasim me ta."
Sa i përket Rusisë, ku talibanët janë përcaktuar si anëtarë të një organizate terroriste, ambasadori i saj në Afganistan tha se marrja e kontrollit e kishte bërë Kabulin më të sigurt në 24 orët e para sesa kur ishte nën kontrollin e autoriteteve të mëparshme.
Kina shpreson se talibanët do të bëjnë një ndarje të qartë me të gjitha llojet e forcave terroriste ndërkombëtare.
"Për një kohë të gjatë, Kina ka mbajtur kontakte me talibanët afganë bazuar në respektin e plotë për sovranitetin kombëtar të Afganistanit dhe vullnetin e fraksioneve të ndryshme në vend, dhe ka luajtur rol konstruktiv në nxitjen e zgjidhjes politike të çështjes afgane," tha zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme Hua Chunying në një konferencë të rregullt shtypi në Pekin të martën.