总统---[zǒng tǒng]---President
Presidenti afgan Mohammad Ashraf Ghani u largua nga vendi të dielën në mbrëmje, ndërsa talibanët po hynin në kryeqytetin Kabul.
Presidenti afgan është larguar nga vendi, tha Abdullah Abdullah, kreu i Këshillit Afgan të Pajtimit Kombëtar, në një video në faqen e tij në “Facebook”, duke e fajësuar Ghanin për vënien e vendit në gjendjen e tanishme.
Abdullahu gjithashtu u bëri thirrje forcave afgane të sigurisë të ruajnë rendin në kryeqytet, dhe u kërkoi banorëve të qëndrojnë të qetë.
Televizioni vendor “Tolo News TV” gjithashtu raportoi të dielën në mbrëmje se Ghani ishte larguar nga Afganistani. Vendndodhja e tij mbetet një mister. Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme njoftoi se presidenti po shkonte për në Taxhikistan, ndërsa një zyrtar i Ministrisë së Jashtme tha se destinacioni i tij mbetet i panjohur.
Raporti pasoi urdhrin e talibanëve ndaj forcave të tyre për të hyrë në qytetin Kabul. Zabihullah Mujahid, një zëdhënës i talibanëve, shkroi në “Twitter” se policia e Kabulit braktisi stacionet policore dhe talebanët do të hyjnë në qytet për të garantuar sigurinë për qytetarët dhe rendin e ligjin.
Në Kabul është vendosur shtetrrethimi duke nisur nga ora 21:00 e së dielës për të parandaluar dhunën.
Të dielën u zhvilluan negociata ndërmjet qeverisë afgane dhe talibanëve për transferimin paqësor të pushtetit në një qeveri kalimtare.
Megjithatë, dy zyrtarë talibanë i thanë “Reuters”-it të dielën se nuk do të ketë qeveri kalimtare në Afganistan dhe se talibanët presin një dorëzim të plotë të pushtetit nga qeveria afgane.
Sipas njoftimeve, përfaqësuesit e talibanëve kishin mbërritur në Pallatin Presidencial herët të dielën për të zhvilluar negociata me udhëheqjen afgane. Kreu i Këshillit të Lartë të Pajtimit Kombëtar Abdullah Abdullah thuhet se po organizonte negociatat, të cilat ishin “intensive”.
Zëdhënësi i talibanëve Zabihullah Mujahid i tha BBC -së se mund të konfirmonte që kishte bisedime me Pallatin Presidencial për një marrje paqësore të pushtetit.
Një zëdhënës tjetër i talibanëve tha se ata pritnin një kalim paqësor të pushtetit "në ditët e ardhshme".
Më parë, ministri i Brendshëm afgan Abdul Sattar Mirzakwal kishte thënë se "pushteti do t'i transferohet paqësisht një qeverie kalimtare".
"Njerëzit nuk duhet të shqetësohen për sigurinë në Kabul," tha ai.
"Jeta, prona dhe dinjiteti i askujt nuk do të cenohen dhe jeta e qytetarëve të Kabulit nuk do të rrezikohet,"thanë talibanët në një deklaratë, duke shtuar se diplomatët dhe punonjësit e ndihmës nuk do të kenë probleme gjatë kësaj periudhe, dhe ushtarët afganë mund të kthehen në shtëpitë e tyre.
Ata u shprehën gjithashtu se të huajt mund të largohen nga Kabuli ose vendi përmes aeroportit të Kabulit, ose të regjistrojnë qëndrimin e tyre.
Të dielën, stafi i ambasadës amerikane u evakuua me helikopterë, ndërsa aeroporti i Kabulit, rruga e vetme e daljes, ishte ende në duart e qeverisë. Stafi i BE -së në Kabul është transferuar në një vend të sigurt që nuk është bërë i ditur. U raportua se edhe disa misione të tjera perëndimore po evakuonin stafet e tyre.
Brenda qytetit, zyrat dhe ndërtesat u braktisën dhe dyqanet u mbyllën. Afganët po nxitonin në shtëpitë e tyre ose jashtë qytetit për të shmangur luftimet e mundshme në qytet.
Më parë po të dielën, luftëtarët talibanë pushtuan periferinë e Kabulit dhe të shtëna sporadike armësh mund të dëgjoheshin në pjesë të qytetit.
Talibanët thanë në një deklaratë pasi pushtuan periferinë e Kabulit se ata nuk planifikojnë ta marrin Kabulin "me forcë".
Që kur trupat amerikane filluan të tërhiqen nga Afganistani më 1 maj, talibanët filluan mësymjen kundër forcave afgane. Gjatë 10 ditëve të fundit, ata pushtuan të paktën 25 kryeqendrat e 34 provincave të Afganistanit, përreth kryeqytetit Kabul.
Presidenti amerikan Joe Biden ka mbrojtur vendimin e tij, duke bërë të ditur se ShBA-ja do të dërgojë 5 000 ushtarë për të ndihmuar lidhur me evakuimin. Një zyrtar amerikan tha se ShBA-ja nuk ka gjasa ta ndryshojë strategjinë e vet ushtarake për Afganistanin.(Vera/Artan)