签证---[qiān zhèng]---Vizë
Në majin e vitit 2020, Shtëpia e Bardhë deklaroi se disa studentë pasuniversitarë dhe studiues kinezë që kanë lidhje me subjekte në Kinë që zbatojnë ose mbështetin strategjinë kineze për zhvillimin e integruar ushtarako-civil, do të ndalohen të hyjnë në ShBA me vizat e joemigrantit "F" ose "J". Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit u shpreh në një intervistë se kjo politikë ka një "shënjestrim të ngushtë", pra drejtohet vetëm kundër një numri të kufizuar aplikuesish.
Foto:CGTN
Por, sipas një raporti të botuar nga “China Daily”, të paktën 500 aplikime për viza nga shtetasit kinezë janë refuzuar nga ambasadat e konsullatat e ShBA-së, vetëm nga 4 maji deri në mesin e qershorit të vitit të kaluar. Një analizë e Qendrës për Sigurinë dhe Teknologjinë e Re tregon se kjo politikë ka ndikuar deri tani mbi 3000-5000 studentë kinezë.
Ndër studentët të cilëve iu refuzua viza, ka nga ata që mësonin shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM), të diplomuar në 11 universitete civile kineze të përfshira në Listën e Subjekteve të Departamentit amerikan të Tregtisë. Disa studentë u shprehën se atyre mund t’u jetë refuzuar dhënia e vizës prej pjesëmarrjes në programet e bursave të Kinës.
Për shkak të kësaj politike, shumë studentë, studiues dhe familje përkatëse bënë përpjekje për të gjetur një rrugëdalje. Disa paguan shuma të mëdha për të bërë intervista për vizë në Singapor ose Tajlandë. Disa ndryshuan tipin e vizës për të cilën aplikuan.
Studentët kinezë në ceremoninë e diplomimit, ShBA,Maj 2016(Foto:CFP)
"Shumica e përpjekjeve të tilla dështuan, sepse kjo politikë është zbatuar në një mënyrë të gjerë", tha Steve Liu, student doktorature në menaxhimin inxhinerik në një universitet amerikan, të cilit nuk iu miratua dhënia e vizës javën e kaluar.
Përveç refuzimit të vizës, po aq, në mos edhe më traumatizues, është anulimi i vizës së dhënë. Sherry Yao, një studente pasuniversitare e vitit të parë në një koleg amerikan, u trondit me të lexuar një e-mail të dërguar nga ambasada e ShBA-së në Pekin në shtatorin e vitit të kaluar, që e njoftoi se viza e saj ishte shfuqizuar.
Në shtatorin e vitit të kaluar, vizat e mbi 1000 studentëve dhe studiuesve kinezë u anuluan sipas politikës së Shtëpisë së Bardhë. Sipas një zëdhënësi të Departamentit amerikan të Shtetit, ata, vizat e të cilëve u shfuqizuan, ishin studentë dhe studiues "me rrezik të lartë". Por, Yao tha se dega e saj e dizanjit të përvojës së përdoruesve nuk kishte lidhje fare me fushën ushtarake. Në mesin e vitit të kaluar, për shkak të pandemisë, Yao u kthye në shtëpi, por nuk e mendonte se kjo mund të ishte lamtumira me universitetin. Megjithëse shkolla i dërgoi një letër për ta mbështetur në aplikimin për vizën e re, Yao, ashtu si shumë studentë të tjerë, nuk arriti të sigurojë një intervistë në ambasadë.
Zyrtarët amerikanë thonë se studentët kinezë në ShBA vijnë për të përvetësuar sekrete qeveritare, që nga kërkimet e përparuara deri në teknologjitë sensitive. Prandaj, administrata e Trump-it firmosi urdhrin nr. 10043 në majin e vitit të kaluar që ndalonte hyrjen e studentëve që mendohej se kishin lidhje me ushtrinë.
Studentët grumbullojnë fonde në uebsajtin(CGTN)
Por në këtë urdhër urdhërohet Departamenti i Sigurisë Kombëtare për hetime të mëtejshme, kritikon “10043.org”, një uebsajt i krijuar nga studentët që janë prekur nga kufizimi i dhënies së vizave. Sipas kësaj platforme elektronike, zyrtarët e vizave i vlerësuan gabimisht disa shkolla të larta politeknike si pjesëmarrëse në strategjinë e vendit për zhvillimin e integruar ushtarako-civil.
Në fakt, studentët kinezë kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme për sistemin amerikan të arsimit të lartë, thotë Ly Xiang, studiues në Institutin e Studimeve Amerikane pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës. Ai theksoi se, përveç pagesës së tarifave të larta shkollore, pjesëmarrësit në programet e doktoraturës ishin anëtarë të vlefshëm të laboratorëve të ndryshëm në ShBA.
Shoqata Amerikane e Fizikës, organizata kryesore profesionale për fizikën në ShBA, i shkroi një letër Departamentit të Shtetit, ku vihet në dukje se ky urdhër përjashton studentë që përndryshe mund të kishin dhënë kontribute të dukshme për kauzën shkencore të ShBA-së.
Studentët dhe studiuesit kinezë të prekur nga mosdhënia e vizave po kërkojnë një rrugë ligjore. Pasi gjetën një avokat të përshtatshëm, këta studentë po përpiqen të grumbullojnë tani 350 mijë dollarë amerikanë brenda tre muajsh.(Zhang Yan/Artan)