合作---[hé zuò]---bashkëpunim
Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi mori pjesë në një sërë takimesh mbi bashkëpunimin e Azisë Lindore të premten. Ministria e Jashtme kineze përshëndeti atmosferën pozitive në këto takime dhe theksoi rëndësinë e besimit të ndërsjellë, solidaritetit dhe bashkëpunimit. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Hua Chunying tha se Kina dhe Shoqata e Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) vlerësuan lart përparimin pozitiv të marrëdhënieve mes Kinës dhe ASEAN-it. Sivjet është 30-vjetori i marrëdhënieve të dialogut mes Kinës dhe ASEAN-it. Të dy palët shprehën shpresën për rritjen e nivelit të partneritetit strategjik dhe dhënien e kontributit të përbashkët për promovimin e stabilitetit, zhvillimit dhe prosperitetit rajonal, tha Hua. Wang mori pjesë në Takimin Ministror mes ASEAN-it dhe Kinës, Takimin e Ministrave të Jashtëm të ASEAN-it Plus Tre, Takimin e Ministrave të Jashtëm të Samitit të Azisë Lindore dhe Forumin Rajonal të ASEAN-it nëpërmjet videos nga 3 deri më 6 gusht.
Solidariteti kundër COVID-19 ishte konsensusi më i madh i arritur nga ministrat e jashtëm në takimet, tha Hua."Të gjitha palët pranuan në përgjithësi se detyra më urgjente është forcimi i bashkëpunimit në fushën e vaksinave dhe përmirësimi i zotërueshmërisë dhe përballueshmërisë rajonale të vaksinave," vuri në dukje ajo. Wang përsëriti premtimin e fortë të Kinës për t'i bërë vaksinat produkte publike globale dhe dëshirën e Kinës për të punuar me vendet rajonale për të plotësuar nevojat e përbashkëta për vaksina. Hua vuri në dukje se shumë vende i kanë bërë jehonë qëndrimit të Kinës mbi gjurmimin e origjinës së virusit, domethënë se kjo është një çështje shkencore rigoroze që duhet të respektohet në një mënyrë shkencore dhe manipulimet duhet të shmangen. "Gjurmimi i origjinës duhet të zhvillohet në të gjitha vendet ku u zbuluan infektime të hershme. Detyra shkencore nuk duhet të politizohet, virusit nuk duhet t'i vihet një etiketë dhe gjurmimi i origjinës nuk duhet të përdoret si një mjet," tha Wang.
Zëdhënësja Hua tha se të gjitha palët besojnë se rimëkëmbja ekonomike rajonale është qartësisht e pabalancuar dhe po shfaqen sfida të reja. Zëdhënësja shtoi se vendet në këtë rajon duhet të punojnë së bashku, të thellojnë bashkëpunimin dhe të përmirësojnë kapacitetin e tyre të reagimit ndaj krizave. Në të njëjtën kohë, ajo tha se vendet rajonale duhet të fokusohen në një perspektivë afatgjatë, të përmirësojnë mekanizmin e bashkëpunimit, të forcojnë elasticitetin dhe vitalitetin e bashkëpunimit rajonal, dhe të ruajnë stabilitetin e prosperitetin e fituar me vështirësi." Kina dëshiron të punojë me ASEAN-in për të ndërtuar një model të ri të bashkëpunimit të rimëkëmbjes mes dy palëve në të gjitha fushat, duke zbatuar Kornizën Gjithëpërfshirëse të Rimëkëmbjes së ASEAN -it si vijë kryesore, duke e marrë bashkëpunimin në fushën e tregtisë dhe investimeve si bazë dhe duke i shikuar ekonominë digjitale dhe zhvillimin e gjelbër si pikat e reja të rritjes," u shpreh Wang në Takimin Ministror ASEAN-Kinë.
Mekanizmi i bashkëpunimit të Azisë Lindore është një platformë për bashkimin dhe bashkëpunimin e vendeve rajonale, e cila duhet të fokusohet në zhvillimin dhe bashkëpunimin pragmatik, tha Hua.
Por fatkeqësisht, disa vende jashtë këtij rajoni e kanë përdorur këtë platformë për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe për interesat e veta gjeopolitike, theksoi Hua, duke shtuar se kjo dukuri u shfaq edhe gjatë takimeve. Wang u shpreh se mosndërhyrja në punët e brendshme të vendeve të tjera është një parim i rëndësishëm i Kartës së OKB-së dhe një normë bazë e marrëdhënieve ndërkombëtare, theksoi Hua. Ministri i Jashtëm kinez tha se të gjitha vendet janë të barabarta dhe duhet të forcojnë shkëmbimet dhe mirëkuptimin në frymën e respektit të ndërsjellë, dhe nuk duhet të imponojnë pëlqimet dhe mospëlqimet e tyre te të tjerët, dhe nuk duhet të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve të tjera ose të synojnë agjendën e tyre egoiste gjeopolitike nën maskën e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut. "Shumica e vendeve në Azinë Lindore kanë një histori të përbashkët të ngacmimit nga fuqitë e huaja. Megjithatë, në epokën e sotme, fati i çdo vendi duhet të jetë në duart e vetë këtyre vendeve, dhe e ardhmja e këtij rajoni duhet të krijohet së bashku nga të gjitha vendet e tij," tha Wang në takimin e së premtes. (Xu Guang)(Artan)